Search

Tregtia me numrin më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2017

Në Kosovë gjatë vitit 2017 janë regjistruar mbi 16 mijë ndërmarrje të sektorit të tregtisë dhe përbëjnë 46.9 për qind të totalit të ndërmarrjeve të regjistruara.

Kështu thuhet në raportin ‘Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, viti 2017’, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas rezultateve të dala në këtë publikim, rezulton se sipas sektorëve ekonomikë numri më i madh i ndërmarrjeve i takon tregtisë me 16,393 biznese ose 46.9 për qind, shërbimeve biznesore dhe shërbimeve të tjera me 4,943 ndërmarrje ose 14.2 për qind, industrisë përpunuese (prodhimi) me 4,770 ndërmarrje apo 13.7 për qind, akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim me 3,599 ndërmarrje apo 10.3 për qind, ndërtimtarisë me 2,664 ndërmarrje apo 7.6 për qind, transportit dhe magazinimit me 1,304 ndërmarrje apo 3.7 për qind, informacionit dhe komunikimit me 908 ndërmarrje apo 2.6 për qind, industrisë nxjerrëse me 154 ndërmarrje apo 0.4 për qind, furnizimit me ujë, kanalizim, menaxhim mbeturinash dhe aktivitetet e revitalizimit të tokës me nga 132 ndërmarrje apo 0.4 për qind si dhe furnizimit me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar me 55 ndërmarrje apo 0.2 për qind.

Ndërsa, sa i përket punësimit për sektorët ekonomikë, që ishin pjesë e hulumtimit, del që numri total i të punësuarve arrin shifrën 167 mijë e 095 persona, prej të cilëve sektori i tregtisë ka më së shumti, rreth 57,862 të punësuar ose 34.6 për qind.

Në raport thuhet se industria përpunuese (prodhimi) ka 26,095 të punësuar apo 15.6 për qind, shërbimet biznesore me 19,859 të punësuar apo 11.9 për qind, ndërtimtaria me 18,206 të punësuar apo 10.9 për qind, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 12,773 të punësuar me 7.6 për qind, informacioni dhe komunikimi kanë 9,597 të punësuar apo 5.7 për qind, si dhe sektorët e tjerë kanë më pak se 5 për qind të punësuar.

Karakteristikë tjetër, që vlen të përmendet, është edhe qarkullimi i realizuar nga ndërmarrjet, ku dominon tregtia me një pjesëmarrje prej 55.6 për qind, industria përpunuese (prodhimi) dhe ndërtimtaria me nga 11.0 për qind, furnizimi me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar me 7.2 për qind, kurse sektorët e tjerë të veprimtarive ekonomike rezultojnë me një përqindje më të vogël të qarkullimit.