Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Tregtia prinë me numrin e bizneseve të regjistruara me mbi 60 mijë të punësuar

Gjatë vitit 2018 në Kosovë janë regjistruar mbi 16 mijë ndërmarrje të tregtisë dhe që përbëjnë përqindjen më të madhe të bizneseve të regjistruara apo me mbi 60 mijë të punësuar.

Kështu thuhet në raportin ‘Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, viti 2018’, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas sektorëve ekonomikë numri më i madh i ndërmarrjeve i takon tregtisë me 16,143 ndërmarrje ose 45.4 për qind, shërbimet biznesore dhe shërbimeve të tjera me 5,250 ndërmarrje ose 14.8 për qind, industria përpunuese [prodhimit] me 4,930 ndërmarrje ose 13.9 për qind, akomodimi dhe aktiviteti i shërbimeve me ushqim me 3,683 ndërmarrje ose 10.4 për qind, ndërtimtarisë me 2,849 ndërmarrje ose 8 për qind, transporti dhe magazinimi me 1,351 ndërmarrje ose 3.8 për qind, informacioni dhe komunikimi me 982 ndërmarrje ose 2.8 për qind, xehetaria dhe gurëthyesit me 161 ndërmarrje ose 0.5 për qind, furnizimi me ujë, kanalizimi, menaxhimi i mbeturinave dhe aktivitetet e revitalizimit të tokës me nga 126 ndërmarrje ose 0.4 për qind si dhe furnizimi me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar me 65 ndërmarrje ose 0.2 për qind.

Ndërsa, sa i përket punësimit për sektorët ekonomikë, numri total i të punësuarve arrin shifrën 177,852, prej të cilëve sektori i tregtisë përbën rreth 60,349 të punësuar ose shprehur në përqindje 33.9 për qind.

Në raport thuhet se industria përpunuese [prodhimi] ka 27,125 të punësuar ose 15.3 për qind, shërbimet biznesore me 22,004 të punësuar ose 12.4 për qind, ndërtimtaria me 20,533 të punësuar ose 11.5 për qind, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 13,955 të punësuar ose 7.8 për qind, informacioni dhe komunikimi me 10,603 të punësuar ose 6 për qind si dhe sektorët e tjerë kanë më pak se 5 për qind të punësuar.

Karakteristikë tjetër, që vlen të përmendet, është edhe qarkullimi i realizuar nga ndërmarrjet, ku dominon tregtia me një pjesëmarrje prej 54.6 për qind, ndërtimtaria me 11.6 për qind, industria përpunuese [prodhimi] me 11.5 për qind, furnizim me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar me 6.4 për qind, aktivitetet e shërbimeve të tjera me 5.1 për qind, kurse sektorët e tjerë të veprimtarive ekonomike rezultojnë me një përqindje më të vogël të qarkullimit.

Sa i përket treguesit të pagës mesatare mujore bruto, ajo sillet rreth 378 euro në aktivitetet e përfshira në anketë.