Trump shtyn vendosjen e tarifave tregtare ndaj Kinës

Donald Trump luajti rolin e Babadimërit duke u thënë gazetarëve se po vononte tarifat për importet kineze për të shmangur çdo ndikim negativ në blerësit amerikanë përpara sezonit festiv.

Ky vendim shkaktoi ‘tërmet’ në Wall Street, duke rritur Dow Jones deri 372 pikë ose 1.4 për qind. Aksionet e Apple, Mattel dhe markës së këpucëve Steve Madden gjithashtu u rritën.

“Ne po e bëjmë këtë për sezonin e Krishtlindjeve”, u tha Trump gazetarëve.

Blerësit, megjithatë, nuk duhet të lënë blerjet e telefonave kinezë, laptopëve, lojërave, monitorëve të kompjuterëve, këpucëve dhe veshjeve deri në minutën e fundit. Zyra amerikane e Tregtisë tha që do të vonojë tarifat për mallra të tilla deri në 15 dhjetor, 10 ditë para Krishtlindjeve. Zyra gjithashtu tha se ishte ende duke planifikuar tarifa 10 për qind në rreth 300 miliardë dollarë tek importet kineze, duke shtrirë taksat e importit për pothuajse gjithçka që Kina tregton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e një mosmarrëveshjeje mbi politikat agresive tregtare të Pekinit.

Shumica e taksave janë planifikuar të fillojnë më 1 shtator.

Lajmi u publikua disa minuta pasi Ministria e Tregtisë e Kinës tha se zëvendëskryeministri Liu He zhvilloi një telefonatë me zyrtarët amerikanë. Bisedimet me përfaqësuesin e tregtisë Robert Lighthizer dhe sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin do të bëhen përsëri pas dy javësh.

Megjithëse pati një rritje prej 4.8 për qind në aksionet e Apple dhe një rritje e stoqeve në sektorin e teknologjisë me 2.33 për qind më tepër, jo të gjithë artikujt elektronikë të konsumit patën të njëjtin ritëm rritjeje. Mosmarrëveshja midis dy ekonomive më të mëdha në botë ka tronditur tregjet financiare për më shumë se një vit tashmë dhe ka tronditur ekonominë botërore.

Teksa lajmet për vonesën e tarifave u publikuan, Trump përdori Twitterin për t’u ankuar se Kina nuk kishte ndjekur vendimin amerikan duke mos përmbushur pritshmëritë për shpenzime të konsiderueshme në produktet agrikulturore amerikane.

“Si zakonisht, Kina tha që do të blinin ‘sasi të mëdha’ nga fermerët amerikanë. Deri më tani ata nuk kanë bërë ato që kanë deklaruar. Ndoshta këtë herë do të jetë ndryshe!”, postoi në Twitter, Presidenti Trump. /Gazeta Ekonomia/

0 Reviews

Write a Review

Read Previous

A do të mundin bankat qendrore të shpëtojnë tregjet e dala nga kontrolli?

Read Next

Grinlanda prej kohësh një ‘mall këmbimi’ midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Danimarkës