Search

Ulet çmimi i naftës, shqetësim mbetet mbifurnizmi i tregut botëror

Çmimi i naftës së papërpunuara ka shënuar rënie si pasojë e shqetësimit të cilin e kanë investitorët nga mbifurnizimi i tregut botëror, pavarësisht shkurtimit të prodhimit që bëri Arabia Saudite si eksportuesi më i madh.

Marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar Brent, të enjten tregtohet me 54.17 dollarë për një fuçi, që është një rënie me 0.9 për qind nga një ditë më parë, ndërsa marka amerikane West Texas Intermediate, shitet me 45.55 dollarë për fuçi ose një ulje me 0.5 për qind nga dita e mërkurë.

Çmimet e naftës së papërpunuar mund të bien akoma më shumë nëse shtetet anëtare të OPEC-ut nuk do të arrijnë të frenojnë prodhimin gjatë tërë vitit 2019, është mendimi i bankës investuese amerikane J. P. Morgan, e cila njëherësh ofron edhe shërbime financiare.

Para takimit të OPEC-ut në dhjetor të vitit të kaluar, J. P. Morgan tha se “nëse OPEC-u nuk qëndron prapa shkurtimit të prodhimit për 1.2 milionë fuçi në ditë gjatë tërë vitit 2019, atëherë është shumë real skenari me çmim të ulët të naftës me 55 dollarë për fuçi për markën Brent”.

Në mënyrë që të zbusin mbifurnizimin e tregut botëror, shtetet e OPEC-ut dhe aleatët siç është Rusia, u pajtuan për të ulur prodhimin e naftës së papërpunuar me 1.2 milionë fuçi në ditë, duke filluar nga 1 janari 2019, ku vetëm Arabia Saudite merr pjesë me 500 mijë fuçi në ditë.

Kreu i J. P. Morgan për Azi dhe Paqësor, Scott Darling, tha se rreziqet gjeopolitike në shtetet që janë prodhues të mëdhenj të naftës, siç është Venezuela, si dhe mirëmbajtja e paplanifikuar e infrastrukturës së naftës, mund të çojnë në forcimin e çmimeve të naftës së papërpunuar.

“Në disa pjesë të botës, akoma kemi infrastrukturë të vjetër e cila çon në mirëmbajtje të paplanifikuar”, shtoi Darling.

Më 22 nëntor të vitit të kaluar, J. P. Morgan bëri një rishikim të çmimit të markës Brent për vitin 2019, duke e ulur në 73 dollarë për fuçi, vlerësimin paraprak me 83.50 dollarë për fuçi.