Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Ulja e pabarazisë kërkon më shumë taksa për miliarderët

Rritja e taksave është një temë e nxehtë në shumë qarqe politike amerikane. Kandidatja presidenciale amerikane, Elizabeth Warren ka bërë thirrje për një taksim prej 2 për qind mbi pasuritë familjare që i kalojnë 50 milionë dollarë. Kandidati rival Bernie Sanders, i cili e tërhoqi Partinë Demokratike nga e majta në kandidimin e tij të vitit 2016, është rikthyer me taksën e tij mbi ‘pasurinë ekstreme’ dhe mbetet një nga kandidatët kryesorë.

Miliarderët si George Soros, Warren Buffett, Eli Broad dhe Marc Benioff gjithashtu kanë dalë në mbështetje të rritjes së taksave mbi super të pasurit. Madje edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka folur mbi nevojën e mbylljes së hapësirave për shmangien e taksave nga të pasurit.

Megjithatë, për shumë vite, doktrina standarde politike e ka ruajtur qasjen anti-taksa si një parim identifikues për Amerikën. Atëherë çfarë po ndodh?

Amerikanët kanë thënë me kohë nëpër sondazhet e opinioneve që mendojnë se të pasurit duhet të paguajnë më shumë. Por problematika ka fituar një trajektore politike në vitet e fundit, nxitur nga studimet serioze mbi pabarazinë në të ardhura duke bllokuar lëvizjen vertikale të të ardhurave dhe duke zbuluar se 400 më të pasurit e Amerikës aktualisht paguajnë më pak taksa se çdo grup tjetër i të ardhurave.

Ekonomistët janë të angazhuar në një debat të nxehtë mbi madhësinë e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve. Por ka pak dyshime mbi faktin se hendeku është zgjeruar në mënyrë drastike përgjatë katër dekadave të fundit drejt niveleve rekord, nxitur kjo nga një përzierje forcash, përfshirë fitimet e shpejta në aksionet e kompanive dhe një pagë minimale relativisht e palëvizur.

Rezerva Federale vlerëson se 1 për qind e familjeve amerikanë zotërojnë rreth 39 për qind të pasurisë së vendit, një term që përfshin asete si prona. Grupi që përbën 1 për qind kryesor gjithashtu është përgjegjës për rreth 13 për qind të të ardhurave, duke zbritur taksat dhe transferat e tjera federale, sipas një analizë të Zyrës së Buxhetit Kongresial të vitit 2016. Kjo përbën një pjesë më të madhe se sa në Britani të Madhe, ku një përqindëshi kryesor vlerësohet të jetë përgjegjës për rreth 8 për qind të të ardhurave dhe rreth 24 për qind të pasurisë së përgjithshme.

Rastet e ekspozuara se si disa individë të pasur kanë shmangur pagesat e taksave dhe skandalet ku të famshmit janë ryshfete te zyrtarët e pranimeve në kolegje për fëmijët e tyre kanë nxitur zemërimin e popullsisë.

Pothuajse dy të tretat e amerikanëve thanë për qendrën e hulumtimeve PEW gjatë këtij viti se ishin shumë të bezdisur nga fakti që disa korporata dhe të pasur nuk paguajnë pjesën e taksave që u takon. Madje një sondazh nga Fox News, një rrjet televiziv i njohur për prirjen konservatore, zbuloi se 70 për qind e votuesve favorizonin rritjen e taksave mbi familjet që fitonin më shumë se 10 milionë dollarë në vit.

Pakënaqësia është veçanërisht e thelluar mes demokratëve, që u tërbuan kur republikanët ulën taksat për të pasurit dhe korporatat si pjesë e një uljeje prej 1.5 trilion dollarësh në taksa në vitin 2017.

“Vetëm 32 për qind e demokratëve tashmë thonë se sistemi aktual i taksave federale është i drejtë, krahasuar me 64 për qind të republikanëve”, zbuloi PEW.

“Ka një frustrim të pastër përgjatë vendit dhe diskutimet politike po e reflektojnë diçka të tillë”, thotë Arloc Shermane anëtar i Center on Budget and Policy Priorities në Washington.

Klasa amerikane biznesit, tradicionalisht si mbrojtës të vendosur të regjimeve për taksa të ulëta, ka filluar të ndryshoj qasje.

Këtë verë, një grup i tyre deklaroi se interesat e kompanive shtriheshin përtej aksionarëve për të përfshirë punëtorët dhe komunitetet lokale.

Titanët e tjerë të Wall Street kanë argumentuar se reforma e kapitalizmit është e nevojshme për të pritur ndryshime më të thella. /Gazeta Ekonomia/