Search

Valuta euro mbush 20 vjet, një histori suksesi por edhe me të meta

Në muajin janar 2019, valuta euro mbush 20 vjet. Tashmë ‘në moshën e pjekurisë’, ajo është valuta e dytë më e madhe në botë. Pas dy dekadash të kritikave të vazhdueshme dhe projeksioneve për dështim, valuta e përbashkët evropiane ka jetuar më gjatë se që parashikonin disa prej pesimistëve më të mëdhenj, kur u krijua në vitin 1999. Pavarësisht të gjitha të metave të dokumentuara dhe kritikave të mëdha ndaj Unionit Monetar Evropian, euro ka kaluar dy dekada me tri arritje të rëndësishme.

Fillimisht, sondazhet tregojnë se ka fituar mbështetje të madhe publike gjatë këtyre 20 viteve. Së dyti, qeveritë e disa prej vendeve me më shumë borxh të Eurozonës, kanë kursyer trilionë euro për shkak të uljes së kostove të huamarrjes.

Së fundmi, Banka Qendrore Evropiane ka qenë shumë më fleksibile dhe inovatore përballë krizave financiare, sesa prisnin edhe mbështetësit më të mëdhenj të vetë institucionit kur u projektua në fund të viteve 1990-ta.

Ndërkohë që këto përfundime maskojnë periudhat e vështirësive dhe të ndërhyrjeve, ato përbëjnë një testament për jetëgjatësinë dhe aftësisë përshtatëse të një sistemi, që shumë persona, përfshirë nobelistin amerikan Milton Friedman, mendonin se është shumë i ngurtë për t’i bërë ballë recesionit të parë.

Në vitin 2010, vit ku Greqia dhe Irlanda morën paketën e parë të ndihmave ndërkombëtare prej miliarda euro, vetëm 51 për qind e të anketuarve nga sondazhi vjetor i Komisionit Evropian, mendonin se euro është pozitive për vendin e tyre.

Sondazhi i vitit 2018, i publikuar në muajin nëntor, tregoi se 64 për qind e të anketuarve në të gjithë Eurozonën argumentonin se euro është pozitive për vendin e tyre dhe thuajse 75 për qind thanë se është pozitive për të gjithë Evropën. Këto janë nivelet më të larta të mbështetjes, që kur Komisioni Evropian nisi të ndërmarrë sondazhet në vitin 2002. Vetëm në dy vende, Lituani dhe Qipro, shumica e njerëzve pjesëmarrës në sondazh mendonin se euro është diçka negative për vendin e tyre.

Një rast të veçantë përbën Greqia. Pavarësisht krizës së thellë ekonomike dhe dëmit social që shkaktuan kushtet e ashpra të kredisë së shpëtimit, 60 për qind e grekëve thanë në sondazhin e vitit 2018 se euro është diçka pozitive për vendin dhe 71 për qind e mendonin këtë për të gjithë Evropën. Qasja në Itali është përmirësuar gjithashtu.

Ekonomia italiane ka qenë ‘anemike’ prej vitesh. Vendi mban nivelin e tretë më të madh të borxhit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto në botë dhe qeveria aktuale populiste ka kërcënuar gjatë fushatës, me dalje nga Eurozona. Megjithatë, 57 për qind e italianëve mendojnë se euro përbën diçka pozitive për vendin dhe 68 për qind e mendojnë këtë për të gjithë Evropën, sipas sondazhit të Komisionit Evropian.

Në sondazh, 69 për qind e 17,589 personave të anketuar në 19 vendet e valutës së përbashkët, bënë të ditur në përgjigjen e tyre se favorizonin një koordinim më të thellë ekonomik në rajon, përfshirë këtu politikat buxhetore. Vetëm 7 për qind argumentuan se duhet të ketë më pak koordinim ekonomik. Bashkëpunimi më i madh fiskal mes 19 shteteve do të kërkojë vite madje edhe dekada, për të bërë progres të dukshëm.

Në vitet e hershme të ekzistencës, Banka Qendrore Evropiane është goditur shpesh nga të dyja anët, pasi është kritikuar vazhdimisht për mbajtjen e inflacionit pranë 2 për qind, si dhe është quajtur përgjegjëse për ‘inflacionin e fshehur’ pas prezantimit të bankënotave dhe monedhave në vitin 2002. Krahasuar me bankat e tjera qendrore që kanë drejtuar ekonomi të vetme ndër dekada, madje edhe shekuj, procesi i politikbërjes i Bankës Qendrore Evropiane është kritikuar shpesh për ngadalësinë, ngurtësinë dhe mospërshtatjen.

Në më pak se dy vite pasi euro u prezantua, ku qëndronte në 1.1747 dollarë, valuta humbi thuajse 30 për qind të vlerës dhe arriti në 0.8240 kundër dollarit amerikan. Banka Qendrore Evropiane, së bashku me banka të tjera qendrore të vendeve të G7, menaxhuan në mënyrë të suksesshme një serë ndërhyrjesh në tregun e këmbimit valutor, për të parandaluar rënien e mëtejshme të euros.

Megjithatë, valuta e përbashkët evropiane i mbijetoi rënies së mprehtë, duke treguar një elasticitet që rezultoi kritik në krizën financiare të vitit 2008 dhe gjatë krizës së borxhit 2010-2012. Euro u kthye shpejt në valutën e dytë më të rëndësishme në të gjithë botën. Valutat në euro përbënin 17 për qind të rezervave në valutë në të gjatë botën, kur euro u prezantua. Një dekadë më vonë, euro zinte 27.6 për qind të rezervave botërore. Që prej atëherë ka pasur luhatje, por nuk ka rënë asnjëherë poshtë 20 për qind dhe bankat e huaja qendrore mbajnë tashmë 2.4 trilionë euro rezerva në valutë. Përveç kësaj, ekziston e ashtuquajtura “primi i euros”, që është paraja që qeveritë kanë kursyer për shkak të uljes së kostove të huamarrjes prej anëtarësisë në Eurozonë.

Sipas analistëve të Unicredit, pagesat e interesit të Italisë për borxhin që mban, që është i treti më i madh në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë, janë rreth 900 miliardë euro më të ulëta, se sa po të mos ishte vend anëtar i Eurozonës. Gjatë viteve 1990, përhapja e interesave të borxhit mes obligacioneve gjermane dhe italiane u zgjerua në më shumë se 7.5 për qind apo 750 pikë bazë dhe për pjesën më të madhe të asaj dekade ka qenë sipër 3 për qind.

Duke filluar nga prezantimi i euros e deri në verën e 2008-së, përpara kolapsit të Lehman Brothers, hendeku mes yield-it gjerman dhe italian, nuk ka kaluar ndonjëherë 0.5 për qind dhe ka pasur një mesatare prej 0.25 për qind. Për vende të tjera ‘periferike’ të Eurozonës, si Spanja, Greqia dhe Portugalia, historia ka qenë e ngjashme. Këto qeveri kanë kursyer qindra miliardë euro në ripagesat e borxhit.

Kompanitë, ekonomitë familjare dhe individët kanë përfituar, gjithashtu, duke nënkuptuar një kursim akoma më të madh. Ndërkohë që euro padyshim mbrojti ekonomitë më të cenuara të bllokut, gjatë stuhisë globale financiare të vitit 2008, goditjet e mëpasshme përbënë një sfidë shumë të vështirë për valutën gjatë asaj kohe.

Megjithatë, pas krizës së borxhit në dekadën e ardhshme, kombinimi i normave negative të interesit, triliona euro në kredi të lira ndaj bankave dhe 2.6 trilionë euro blerje të obligacioneve në treg të hapur, ulën në mënyrë të suksesshme kostot e huamarrjes në vendet e trazuara. Këto janë hapa të jashtëzakonshëm të politikave për çdo bankë qendrore. Ato janë edhe më të pazakonta duke marrë parasysh që vijnë nga një bankë qendrore që i shërben 19 shteteve sovrane. Për më tepër, ky institucion është ndërtuar në Frankfurt, në Gjermaninë konservatore fiskale.

Një studim i Bundesbank i vitit të kaluar zbuloi se vendet e Eurozonës kanë kursyer thuajse 1 trilion euro nga vitit 2008 deri në 2016 në pagesat e interesave, për shkak të uljes së ndjeshme të normave të interesit krahasuar me periudhën e para krizës. Ky kursim arrin në rreth 9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Kuadri i politikave monetare është ende në funksion, kuadër që sipas analistëve ka shpëtuar euron dhe ka siguruar mbijetesën në të ardhmen. /SCAN/