Search

Vazhdon trendi i rritjes së çmimit të naftës në tregun global

Pas spastrimit qeveritar të fundjavës në Arabinë Saudite, çmimi i naftës së papërpunuar (Brent), të martën është rritur në mbi 64 dollarë për një fuçi, ndërkohë që vazhdon trendi i rritjes së çmimit të naftës në tregun global.

Çmimi i naftës Brent, të martën ka shënuar nivelin më të lartë të saj që nga qershori 2015, duke arritur në 64.32 dollarë për fuçi. Ndërkohë, çmimi i markës amerikane të naftës së papërpunuar, West Texas Intermediate (WTI) arriti në 57.27 dollarë për fuçi, çmimi më i lartë që nga korriku i vitit 2015.

Si pasojë e arrestimit të dhjetëra zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë shtetëror në Arabinë Saudite me akuzën për korrupsion, eksportuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar, ngjalli te investitorët një dyshim për sigurinë e eksportit të naftës së papërpunuar, thonë ekspertët e naftës.

Çmimi i naftës së papërpunuar, gjatë dy javëve të fundit ka shënuar një rritje graduale, paralelisht me shpresën se prodhuesit e OPEC-ut dhe Rusia do të zgjasin afatin e marrëveshjes për kufizim të prodhimit përtej marsit të vitit 2018. Zyrtarët e Arabisë Saudite dhe Rusisë sinjalizuan së fundmi se përkrahin një mundësi të tillë.