Search

‘Vdekja e internetit’ – momenti kritik i të drejtave të autorit në Bashkimin Evropian

Ai është një reper haitian, këngëtar e aktor, por që këtë të martë ka marrë mbi supe një mision të vështirë duke vizituar Parlamentin Evropian në Strasburg.

Vizita e tij vjen në mesin e lajmeve risi të shkaktuara nga beteja në lidhje me rregullat e Bashkimit Evropian që prekin kompanitë e internetit dhe krijuesit, që përgjatë dy viteve të fundit ka përfshirë të famshëm e gjithashtu ka ushqyer më tej makinerinë e lobimit të Brukselit.

Wyclef, i njohur më së shumti për hitin e vitit 2012 ‘Hips Don’t Lie’ në bashkëpunim me këngëtaren kolumbiane Shakira, do të përpiqet t’i nxisë europarlamentarët që të votojnë të mërkurën kundër projektligjit për të drejtat e autorit në Bashkimin Evropian, që është cilësuar ndër të tjera edhe si ‘vdekja e internetit’ apo ‘fundi i memeve’.

Bëhet fjalë për një përplasje tejet të gjatë, që gjithsesi duhet të marrë fund këtë javë.

Fushatat pro dhe kundër ndryshimit të të drejtave të autorit ka përfshirë ish-pjesëtarë të grupit Beatles, Jimmy Wales i Wikipedia, gazetarin fitues për raportim lufte, Stephen Fry, gjigantët amerikanë të teknologjisë, e tashmë edhe ish-grupin Fugee.

Në lojë është përditësimi i parë në mbi 15 vite i rregullave evropiane të të drejtave të autorit. Plotë 15 vite më parë, muzikantët, artistët dhe autorët nuk konsideroheshin ‘krijues përmbajtjeje’ dhe nuk kishin nevojë për motorë kërkimi apo faqe interneti ‘streaming’ për të siguruar jetesën.

Ideja e Komisionit Evropian për të përditësuar ligjet e të drejtave të autorit synon të krijojë një mënyrë më të drejtë të pagesave për ata që zotërojnë të drejta autori, për punën e tyre në këtë epokë dixhitale.

Wyclef ndodhet në Strasburg për të ofruar argumente kundër një prej pjesëve më kontroverse të planeve, që do t’iu kërkonte platformave të skanonin përmbajtjet e krijuara nga përdoruesi, për të garantuar se ajo përmbajtje nuk shkel ligjet e të drejtave të autorit, thënë ndryshe ‘filtra ngarkimi’ në internet.

Ndryshe nga shumica në industrinë e muzikës, përfshi këtu edhe Sir Paul McCartney, Wyclef mendon se kjo gjë, më shumë sesa do t’i mbrojë artistët, do t’i dëmtojë ata. Shumë të tjerë mendojnë se kjo do të nxirrte të paligjshme ‘memet’.

Një tjetër pikë e diskutueshme është e ashtuquajtura ‘taksë për lidhjen’ që do të detyronte Google apo të tjerë që të paguajnë faqet e internetit të medieve informative për vendosjen e hyperlinkëve në përmbajtjet e tyre. Gjigantë mediatikë si Agence France-Presse, e mbështetur nga shteti i Francës, e mbështesin këtë gjë, duke argumentuar se të ardhurat mund të ndihmojnë në mbështetje të një gazetarie cilësore.

Më herët gjatë verës, europarlamentarët vendosën të merrnin më shumë kohë për të menduar e diskutuar, pasi zërat kundërshtues arritën afro 1 milion në një peticion online. Europarlamentarët kanë kaluar tre muajt e fundit duke ‘luftuar’ mbi versionet alternative të dy prej ideve më të kundërshtuara, me synimin për të arritur një marrëveshje këtë javë. Por duket se palët janë më larg sesa kurrë.

Më shumë se 200 plotësime të mundshme janë shtruar mbi tryezë, më kryesoret e të cilave do të hidhen për votim të mërkurën. Megjithatë, grupet më të mëdha politike të Bashkimit Evropian janë të përçara. Ekziston ende një mundësi që votimi të mos mbahet, nëse presidenti i PE-së vendos se e gjitha kjo është shumë e koklavitur.

Zyrtarë të Komisionit Evropian kanë thënë për Financial Times, se mungesa e marrëveshjes nuk është diçka më e mirë sesa një marrëveshje e keqe. Ata kërkojnë që Parlamenti të gjejë kompromisin të mërkurën, përndryshe rrezikohet që e gjithë nisma të refuzohet derisa të zgjidhen europarlamentarët e rinj në maj të vitit të ardhshëm. /Gazeta Ekonomia/