Search

Verë e nxehtë në Ballkan

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, po flasin për ‘përkufizim’ apo ‘korrigjim’ kufijsh si opcion i mundshëm për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë. Por çfarë mendon opinioni publik shqiptar?

Vera është e nxehtë në Ballkan. Edhe politika është nxehur. Presidenti Thaçi flet për ‘korrigjime kufijsh’ dhe ia bën këtë të ditur shqiptarëve në një intervistë për një agjenci të huaj lajmesh. Kush e morri vesh e morri vesh të përkthyer. Ky qe vetëm fillimi, më pas ai doli shumë herë t’i fliste opinionit shqiptar dhe sqaronte idetë e tij që nuk janë ‘për ndryshime territoresh’.

Kryeministri Ramush Haradinaj dërgoi mesazh se “kufijtë nuk ndërrohen me fjalë”, duke aluduar kështu se vetëm lufta mund ta bëjë këtë gjë. Edhe opozita në Kosovë ka dalë kundër.

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi e quan këtë dështim të qeverisë kosovare dhe thotë në një intervistë televizive se “nuk duhet të biem në këtë grackë, sepse Kosova i ka bërë kompromiset e mëdha në Rambuje e më pas edhe në Vjenë. Kompromisi më i madh i yni ka qenë Pakoja e Ahtisarit, e cila ia siguron pakicës serbe – që i ka vetëm pesë për qind të popullsisë – 10 komuna që përfshijnë një territor rreth 25 për qind të tërë territorit të shtetit”.

Opinioni publik në Kosovë e Shqipëri kundër korrigjimeve të kufijve

“Ideja e ndarjes së Kosovës është ide serbe, nuk është shqiptare, as ndërkombëtare”, shkruan shkrimtari Mehmet Kraja në artikullin e tij për këtë temë.

“Kohëve të fundit ndarja e Kosovës mori kuptimin e zgjidhes politike, si zgjidhje-model e një konflikti të ngrirë, por me një potencial të fshehtë për të frikësuar kosovarët dhe për t’ua kthyer atyre idenë e humbjes pa alternativë”, shkruan ai.

Thaçi vazhdon përsërit në konferencat e shtypit se “nuk do të ketë ndërrim territoresh, por vetëm bashkim me Luginën e Preshevës”.

Nga Lugina e Preshevës vetë njerëzit thonë se nuk duan zgjidhje të pjesshme. Lugina e Preshevës ka tri komuna, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin dhe ato nuk duhet të ndahen.

Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit thekson se “Lugina e Preshevës nuk do zgjidhje që cënojnë sovranitetin territorial të Kosovës”.

Nga Shqipëria dëgjohet pak. Qeveria shqiptare nuk është deklaruar zyrtarisht. Opozita shqiptare ka folur kundër asaj që e quan “tregti me tokën shqiptare”.

“Ajo që po bën Thaçi me Vuçiqin është përpjekje për krijim të realiteteve të reja në terren pa krijim paraprak të marrëdhënieve të rregullta ndërshtetërore”, shkruan Veton Surroi.

“Ky proces u përngjet më shumë takimeve mes presidentit serb Milosheviq dhe atij kroat Tugjman, gjatë zhbërjes së Jugosllavisë, të cilët të ulur mbi harta përpiqeshin të krijonin realitetin e ri që duhej t’i paraprinte një ardhmërie, të relacioneve mes dy shteteve të pavarura”, shkruan ai.

“Konflikti midis Kosovës dhe Serbisë nuk është konflikt territorial, por është konflikt për çështjen e statusit të Kosovës”, thekson Arben Çejku, ish-ambasadori shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk do të ketë të bëjë me vende që janë gjysma në paqe, gjysma në konflikt. Komuniteti ndërkombëtar do të ketë të bëjë me vende partnere, me të cilat të fillojë bisedimet për pranim në Bashkimin Evropian (Serbia) dhe pranim në NATO (Kosova)”, përfundon ai. /Deutsche Welle/