Search

Vonohet Kodi Telefonik

Edita Tahiri bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me zyrtarë të BE-së në lidhje me vonesat për kodin telefonik.

Edita Tahiri, Ministrja për Dialog, në fillim të vitit 2016 kishte bërë të ditur se Austria ka aplikuar në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit për Telekomunikacion.

Në atë kohë ministrja Tahiri kishte thënë se marrja e kodit telefonik shtetëror i mundëson Kosovës njohje të sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit dhe pritet të sjellë përfitime ekonomike, shërbime më cilësore dhe më kosto më të favorshme për qytetarët.

Sipas planit, ITU-ja pritej t’ia shpërndante kodin telefonik Kosovës në pjesën e parë të muajit mars 2016, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.

Sipas një komunikate për media të Zyrës së Kryeministrit, Ministrja për Dialog Edita Tahiri me anë të një bisede telefonike me zyrtarë të BE-së ua ka shprehur atyre shqetësimin për vonesën rreth kodit telefonik të Kosovës.

“Në një bisedë të gjatë për këtë çështje zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë njoftuar se Bashkimi Evropian po angazhohet intensivisht për çështjen e kodit telefonik për Kosovën dhe se kjo marrëveshje do të realizohet sa më shpejt që është e mundur,” thuhet në komunikatë.

Komunikata njofton se Tahiri u ka thënë zyrtarëve të BE-së se çështja e telekomit dhe në veçanti çështja e kodit telefonik për Kosovën janë në tryezën e bisedimeve që nga viti 2011, ndërsa marrëveshja është arritur në shtator 2013, por që nga ajo kohë zbatimi ende nuk ka ndodhur.

Këta zyrtarë i kanë thënë Tahirit se në lidhje me kodin telefonik ende kanë mbetur të pakryera disa çështje të natyrës teknike.

“Bashkimi Evropian ka siguruar se marrëveshja e Brukselit për këtë çështje do të zbatohet dhe që Kosova dhe qytetarët e saj do ta kenë kodin telefonik për vendin e tyre, për të cilën përkushtimi i BE-së mbetet i plotë,” vijon komunikata.

Zyrtarët e BE-së sipas komunikatës e kanë pranuar se kanë ndodhur vonesa në procesin e pajisjes së Kosovës me kod telefonik, ndërsa “kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e Kosovës nën premtimin që kjo çështje do të zgjidhet në mënyrëprioritare”. /Kallxo