Search

WEF: Shqipëria e 82-ta për zhvillimin e ICT-së

Forumi Ekonomik Botëror (WEF) publikoi raportin më të fundit me temë ‘Travel & Tourism Competitiveness Index‘ ku përfshihen 136 shtete në mesin e tyre edhe Shqipëria.

Ky raport ka në fokus sigurinë dhe turizmin duke analizuar një sërë faktorësh përfshirë edhe ndikimin e teknologjisë dhe informacionit (ICT).

Si pjesë e raportit, WEF rëndit sigurinë e secilit 136 vendeve të botës duke matur rrezikun që u kanoset turistëve por edhe bizneseve.

Nga 136 shtete, Shqipëria renditet e 98 me një indeks të përmirësuar  prej 3.4 pikësh krahasuar me vendin e 106 nga 141 Shtete të raportit të kaluar dhe indeks prej 3.2 pikësh.

Për të arritur në këto përfundime WEF analizon sektorët e transportit, sigurisë, biznesit, shëndetit, burimeve njerëzore dhe tregut të punës, infrastrukturës, shërbimeve për turistët, kostove dhe atë të ICT-së.

Shqipëria dhe ICT-ja sipas ‘Travel & Tourism Competitiveness Index’

Shqipëria, vendi mikpritës i 3.78 milionë turistëve çdo vit, indeksi i ICT-së e rendit në vendin e 82 nga 136 shtete duke shënuar 4.1 pikë.

Krahasuar me raportin e kaluar, ky sektor ka patur një rritje thuajse të papërfillshme me 0.3 pikë megjithatë në 2015-ën mbante vendin e 73 në botë nga 141 shtete pjesë e raportit.

Ky indeks e radhit Shqipërinë të fundit në Evropë, pas Bosnia Hercegovinës e cila zë vendin e 75. Mali i Zi, Greqia, Maqedonia dhe Serbia të gjithë renditen më mirë sesa Shqipëria në vendet 56, 51, 62 dhe 57 respektivisht.

Sipas WEF, “penetrimi i lartë i shërbimeve të telefonisë mobile, numri i përdoruesve të internetit prej 60 për qind të popullsisë dhe përdorimi i shërbimeve ICT për kryerjen e transaksioneve mes bizneseve” janë disa prej faktorëve kryesorë pozitiv.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për “numrin e vogël dhe penetrimin e ulët të shërbimeve fikse dhe realizimin e transaksioneve mes biznesit dhe konsumatorit” duke përdorur shërbimet e ICT-së.

Shqipëria renditet e 46 në botë kur bëhet fjalë për penetrimin e shërbimeve të telefonisë mobile ndërsa e 116 në botë për përdorimin e internetit si urë komunikimi mes biznesit dhe konsumatorit.

Indikatorët kryesore të ‘Travel & Tourism Competitiveness Index’ për Shqipërinë

Shqipëria vizitohet nga 3,784,357 turistë çdo vit. Ky industri gjeneron 697.1 milion dollar të ardhura ose 6 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto së së vendit si dhe 51,005 vende pune.

Sipas raportit performancën më të lartë e kanë Qëndrueshmëria Mjedisore, Siguria dhe Mbrotja, Shëndeti dhe Higjiena.

Të bërit biznes, transporti ajror, burimet natyre dhe kulturore janë sektorët me performancën më të ulët. /PCWAlbanian