Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Zyrtarët me pagat më të larta në Kosovë

Në Kosovë nuk janë krerët e shtetit ndër zyrtarët më të paguar në vend. Pagën më të lartë se të Kryeministrit, Presidentit e kryetarit të Kuvendit e kanë disa zyrtarë të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të ndryshme.

Madje, disa prej tyre paguhen prej tre mijë euro deri në mbi pesë mijë euro në muaj.

Dhe ‘top listës’ i prin drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Adrian Zalli, i cili mbetet zyrtari më i paguari në vend.

Zalli pagë mesatare mujore merr 5,074 euro ose 60 mijë e 894 euro në vit.

Ai në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) nga pasuria e luajtshme, ka thënë se ka veturë në vlerë prej 12,700 euro. Sipas raportit, në pjesën paratë e gatshme të mbajtura në institucione financiare, Zalli ka të kursyera mbi 230 mijë euro.

Pas Zallit, pagën më të lartë e ka guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, i cili merr pagë mujore 3,690 euro ose 44,284.32 euro në vit.

Mehmeti në AKK, ka deklaruar se posedon dy vetura, e cila njëra është në pronësi të fëmijëve me vlerë prej 7,500 euro dhe atë private prej 11,500 euro.

Nga pasuria e paluajtshme, ai ka deklaruar se ka shtëpi, banesë, lokal, tokë dhe male në vlerë të përgjithshme mbi 400 mijë euro.

Për sa i përket kursimeve, Mehmeti ka deklaruar se në pronësi të vetes, të bashkëshortes dhe fëmijëve ka mbi 34 mijë euro para të gatshme.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaqi, është zyrtari që ka pagën më të lartë pas guvernatorit të BQK-së, i cili merr pagë mujore prej 2,880 euro ose 34,565 euro në vit.

Thaqi në raport thotë se ka veturë BMW X3 në vlerë 22 mijë euro. Po ashtu, në AKK ai ka deklaruar se ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 300 mijë euro.

Ndërsa për sa i përket kursimeve dhe kredive, Thaqi ka thënë se ka të kursyera mbi 56 mijë euro para të gatshme dhe 15 mijë euro kredi.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, thotë se merr pagë vjetore në vlerë prej 30,265 euro apo mesatarisht 2,500 euro pagë mujore. Ai përveç pagës në Postë paguhet edhe nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj me një pagë vjetore prej 5,373 euro.

Hoxha në deklarimin vjetor të pasurisë tregon se ka tri vetura në vlerë të përgjithshme prej 34 mijë euro. Ai në AKK ka deklaruar se ka pasuri të patundshme në vlerë prej 350 mijë euro dhe kursime vjetore prej 16 mijë euro.

Bedri Istrefi i cili është kryeshef ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, në deklarimin e pasurisë thotë se merr pagë mesatare mujore prej 2,200 euro, apo nga momenti i emërimit në këtë pozitë në fund të muajit shkurt 2019, si të hyrë vjetore ka deklaruar 4,453.02 euro.

Istrefi tregon se ka veturë Range Rover Evoko në vlerë prej 17 mijë euro.

Ai në AKK ka deklaruar se ka pasuri të patundshme prej 300 mijë euro dhe 2,700 euro kursime, ndërsa është kreditor në dy banka në vlerë prej 54 mijë euro.

Ndryshe, sipas njoftimit të AKK-së, në listën e zyrtarëve të lartë publik kanë qenë të përfshirë 4,819 persona, prej të cilëve 4,755 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë.

Prej numrit të përgjithshëm të atyre që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 35 zyrtarë të lartë publik kanë deklaruar pasurinë pas afatit, 16 nuk e kanë deklaruar pasurinë me arsye, kurse 13 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani. /Telegrafi/