Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

​Qeveria e Kosovës ndanë 95.2 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike për pandeminë COVID-19

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 21-të ka miratuar vendimet për ndarje të mjeteve me qëllim të përmbushjes së obligimeve që dalin nga masat për rimëkëmbjen ekonomike të shkaktuar nga pasojat e pandemisë COVID-19.

Sipas njoftimit nga Kryeministria, pas shqyrtimit, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për ndarjen e mjeteve financiare për rimëkëmbje ekonomike në shumë prej 44 milionë e 700 mijë e 152 euro.

Mjetet e ndara kanë për qëllim të rimbursimit të shpenzimeve nga ekzekutimi i masave: 1.1, 1.2, 1.3, 1.4, 1.7, 1.8, 1.14 dhe 1.15, sipas Vendimit të datës 30 mars 2020 për aprovimin e Pakos Emergjente Fiskale.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka aprovuar propozimin e Ministrisë se Financave për ndarjen e mjeteve në shumë prej 50.5 milionë euro, me qëllim të vazhdimit të ekzekutimit të masave: 1.3, 1.7, 1.8, 1.14 dhe 1.15, sipas Vendimit 01/19. /Gazeta Ekonomia/