Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

A mund të sfidohet Google?

Një rast mosbesimi i Qeverisë amerikane kundër gjigantit të kërkimeve në internet Google duket i fortë, por mund të përballet me një betejë të ashpër gjyqësore, paralajmërojnë ekspertët.

Google u padit më 20 tetor për dëmtimin e konkurrencës në kërkimet dhe reklamat në internet, përmes marrëveshjeve të shpërndarjes dhe kufizimeve të tjera, që e vendosin mjetin e saj të kërkimit në qendër, sa herë që konsumatorët shfletojnë ueb-in.

Për të fituar, Departamenti amerikan i Drejtësisë duhet të dëshmojë se Google ka fituar ose mbajtur pushtetin monopol përmes sjelljes abuzive ose diçka përtej konkurrencës së bazuar në merita.

Disa ekspertë ligjorë thonë se keqbërja e dyshuar e Google duket e ngjashme me akuzat që Qeveria amerikane i ka ngritur në vitet 1990 kundër kompanisë Microsoft.

Ky rast është zgjidhur në vitin 2002 me një dekret të pëlqimit, që ka kërkuar nga prodhuesi i sistemit operativ Windows ta ndalojë hakmarrjen ndaj prodhuesve të kompjuterëve, që kanë përdorur softuerë jashtë Microsoftit.

Rebecca Haw Allensworth, profesore në Shkollën e Drejtësisë Vanderbilt, tha se Departamenti i Drejtësisë ka vepruar mençur, duke ofruar argumente të besueshme në ankesën e tij prej 59 faqesh.

“Ata po i përmbahen ligjit ekzistues”, tha ajo.

Njëmbëdhjetë shtete amerikane iu bashkuan padisë së qeverisë dhe prokurorja e përgjithshme e New Yorkut, Letitia James, tha se shteti i saj dhe gjashtë të tjerë, së shpejti, mund ta paraqesin padinë e tyre.

Ekspertët thonë se qeveria federale nuk ka gjasa të tërhiqet nga rasti dhe, në fakt, mund të bëjë presion më shumë, nëse demokrati Joe Biden fiton kundrejt presidentit aktual, Donald Trump, në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Google pritet të argumentojë se qeveria e mbivlerësoi fuqinë e kompanisë, duke e përkufizuar tregun e saj si shumë të ngushtë.

Por, disa ekspertë thonë se pranueshmëria e Google bën që rasti të varet nga dy gjëra: nëse dominimi buron nga konsumatorët që e preferojnë atë përballë rivalëve të saj ose nëse kompania me bazë në Kaliforni i ka larguar konsumatorët nga rivalët e saj.

“E dimë se Google ka një pjesë të madhe të këtij tregu. Pyetja është, pse”, tha John Lopatka, profesor i së drejtës në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë.

Shubha Ghosh, profesor i së drejtës në Universitetin e Sirakjuz, tha se Qeveria amerikane pretendon se Google po i pengon motorët e kërkimit, më miqësorë ndaj konsumatorëve – të tillë si ata që nuk mbledhin të dhëna të përdoruesve për t’i personalizuar reklamat – për të fituar popullaritet.

Por, sipas tij, Google mund të argumentojë se motori i tij i kërkimit është efektiv në gjenerimin e rezultateve që konsumatorët i duan dhe se, “nuk ka qenë e menduar të bëjë përjashtim”.

Ose, sipas Lopatkës, Google mund të thotë se, “ne kemi qenë një firmë e admiruar dhe kemi bërë vërtet punë të mirë, andaj edhe jemi bërë kaq dominues”.

Çmimet e rritjes së shpejtë shpesh tregojnë se klientët janë dëmtuar nga sjellja anti-konkurruese.

Por, Google i ofron shërbimet e kërkimeve falas dhe kjo gjë i rrit sfidat e Departamentit të Drejtësisë.

“Trendi në doktrinën gjyqësore, në vendimet e Gjykatës Supreme, që përfshijnë firmat mbizotëruese, ka qenë që kompanive të mëdha t’iu jepet liri e gjerë, për t’i zgjedhur strategjitë e biznesit, që ato preferojnë.Nëse jeni një paditës, përfshirë paditës qeveritar, kjo është e vështirë për t’u kapërcyer – jo e pamundur, thjesht shumë e vështirë”, tha William Kovachich, profesor i së drejtës në Universitetin George Washington dhe ish-kryetar i Komisionit Federal të Tregtisë.

Sipas ekspertëve, edhe nëse Departamenti i Drejtësisë dëshmon se Google ka krijuar monopol dhe ka abuzuar me fuqinë e monopolit, gjykata mund ta ketë të vështirë të krijojë masa, që do ta përmirësonin konkurrencën në kërkime.

“Të bësh një motor kërkimi nuk është e lehtë. Duket jashtëzakonisht e vështirë që ndonjë firmë tjetër ta sfidojë Google në mënyrë domethënëse”, tha Chris Sagers, profesor i së drejtës në Universitetin Shtetëror të Kllivllendit. /REL/