Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Ambasada amerikane kundër reciprocitetit: Këto politika po ngufasin ekonominë e Kosovës

Qeveria në detyrë e Kosovës ka votuar për heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe zëvendësimin e saj me masën graduale të reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë.

Vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe veterinare të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Lidhur me këtë, ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se vendosja e reciprocitetit tregtar me Serbinë ngulfat ekonominë e vetë Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia”, thuhet në reagimin e ambasadës, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, ambasada thotë se kjo masë e reciprocitetit do të sjellë probleme në kohën kur duhet të zhvillohen kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm.

“Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, përfundon reagimi.

Ndryshe, tarifën doganore 100 për qind e kishte vendosur qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.

Tarifa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.

Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

SHBA-të vazhdimisht kanë kërkuar largimin e plotë të saj.