Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Arrihet marrëveshja tregtare pas BREXIT-it mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian

Britania e Madhe arriti marrëveshje tregtare pas BREXIT-it me Bashkimin Evropian, shtatë ditë para se të dalë nga blloku evropian.

Marrëveshja është shumë e rëndësishme për raportet e vendeve, pasi një dështim i saj do të detyronte vendosjen e tarifave të ndërsjella.

Qeveria britanike tha se, marrëveshja është një lajm fantastik për familjet dhe bizneset në çdo pjesë të vendit.

“Ne kemi marrë përsëri kontrollin e parave tona, kufijve, ligjeve, tregtisë dhe ujërave tona të peshkimit. Kjo do të thotë që ne do të kemi pavarësi të plotë politike dhe ekonomike më 1 janar 2021”, tha Qeveria britanike përmes një deklarate.

“Marrëveshja tregtare e arritur nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian është e drejtë dhe e ekuilibruar”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Van der Leyen.

“Unë gjithashtu besoj se kjo marrëveshje është në interes të Britanisë së Madhe. Ajo do të vendosë baza të forta për një fillim të ri me një mik afatgjatë. Dhe kjo do të thotë që ne më në fund mund ta lëmë BREXIT-in prapa nesh, dhe Evropa po vazhdon të lëvizë përpara”, tha ajo.

Von der Leyen, shtoi se, i gjithë ky debat ka qenë gjithmonë rreth sovranitetit.

“Ne duhet të pyesim se çfarë do të thotë sovranitet në shekullin XXI-të. Ka të bëjë me bashkimin e forcës sonë dhe të flasim me një zë në një botë plot me fuqi të mëdha. Ka të bëjë me tërheqjen e njëri-tjetrit në kohë krizash në vend që të përpiqeni të ecni vetëm. BE-ja tregoi se si mund të funksionojë kjo në praktikë”, tha ajo.

Të dyja palët kanë kohë deri më 31 dhjetor që ta miratojnë atë në parlamentet përkatëse.

Kjo pasi në këtë datë, Britania e Madhe përfundon periudhën tranzitore pas largimit zyrtar nga blloku evropian në janar në këtij viti.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se tash është rradha e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian që ta analizojnë atë, para se t’i japin dritën e gjelbër.

Rregullat e konkurrencës së ndershme dhe të drejtat e peshkimit kishin qenë pengesa kryesore për të arritur një marrëveshje tregtare gjatë nëntë muajve bisedimesh të trazuara.

Marrëveshja shmang vendosjen e tarifave, kuotave dhe pengesave të tjera tregtare që do t’u kushtonin të dy palëve miliarda në tregti dhe qindra mijëra vende pune.

Vendimi për largim të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të saj në referendumin e mbajtur më 2016.