Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Bashkimi Evropian nis hetime ndaj kompanisë Google

Zyrtarët e Bashkimit Evropian për mekanizmat rregullatore kundër monopoleve njoftuan të martën se do të fillojnë një hetim ndaj planeve të kompanisë Google për të blerë kompaninë Fitbit.

Gjigandi amerikan i teknologjisë Google, entitet në pronësi të kompanisë Alphabet, shpreson të hyjë në tregun e teknologjisë që mbartet në trup, nëpërmjet blerjes së kompanisë Fitbit, me rreth 2.1 miliardë dollarë.

Kompania Fitbit prodhon paisje inteligjente që mbahen si ora e dorës.

Një sërë grupesh që mbrojnë privatësinë dhe të drejtat e konsumatorëve duan ta bllokojnë këtë shitje për shkak të shqetësimeve anti-monopol dhe të privatësisë.

Bashkimi Evropian dhe disa entitete të tjera thonë se janë të shqetësuar se kjo blerje do të rriste nivelit e të dhënave tek të cilat ka qasje kompania Google, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për kompanitë e tjera të konkurojnë me efikasitet në hapësirën e reklamimit në internet.

Komisioni ekzekutiv i BE-së deklaroi se, “transaksioni i propozuar do të konsolidonte më tej pozitën e kompanisë Google në tregjet e reklamave në internet, duke rritur sasinë, tashmë të pamatë të të dhënave që kompania Google mund të përdorë për të personalizuar reklamat që dërgon dhe që shfaq”.

Komisionerja e BE-së për konkurrencën, Margrethe Vestager, shtoi se, “hetimi synon të sigurohemi se kontrolli i kompanisë Google mbi të dhënat e mbledhura nga paisjet që mbarten në trup si rezultat i këtij transaksioni, nuk do të prishin konkurrencën”.

Zëvendëspresidenti kryesor i kompanisë Google, për paisjet dhe shërbimet, Rick Osterloh, reagoi duke thënë se, “kjo marrëveshje do të ketë të bëjë me paisje dhe jo të dhëna. E kemi bërë të qartë që në fillim se nuk do të përdorim të dhënat e shëndetit dhe mirëqenies së Fitbit për reklamat e Google”.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian për zbatimin e rregullave kundër monopolit thanë se nuk mjafton thjesht ky premtim.

Fitbit ishte një nga kompanitë e para që tregtoi paisje që mbarten në trup, për të monitoruar aktivitetet fizike, rrahjet e zemrës, cilësinë e gjumit, si dhe një sërë faktorësh të tjerë.

Kompania Fitbit ka mbi 28 milionë përdorues aktivë, si dhe mbi 100 milionë paisje të shitura. /Zëri i Amerikës/