Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Brenda një viti u regjistruan mbi 10,500 vdekje në Kosovë

Vdekjet e raportuara nga familjarët dhe të regjistruara në librat amzë për vdekjet, në vitin 2019 kanë qenë 10,560, prej tyre vdekje të ndodhura vetëm në Kosovë 9,430 raste, kurse vdekjet që kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 1,130 raste.

Kështu thuhet në raportin “Statistikat e Vdekjeve në Kosovë, 2019”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas ASK-së, nga gjithsej vdekjet e raportuara, të ndodhura vetëm në Kosovë, 5,105 raste janë meshkuj ose 54.1 për qind.

Në institucione shëndetësore kanë ndodhur 42.8 për qind e rasteve të vdekjeve dhe 55.7 për qind kanë ndodhur në shtëpi dhe 1.5 për qind në vend tjetër.

Sipas komunës, Prishtina prin me 2,609 raste të vdekjeve ose 24.7 për qind, Prizreni me 938 raste ose 8.9 për qind, Peja me 639 raste ose 6.1 për qind, etj. Ndërkaq, mosha e të vdekurve në 81.6 për qind është 60 e më shumë vjeç.

Tremujori i parë i vitit merr pjesë me 27 për qind, ndërsa vetëm muaji mars ka 9.5 për qind të vdekjeve të raportuara, ndërsa, 90.8 për qind e rasteve janë shqiptarë.

Vdekje të dhunshme në vitin 2019 janë raportuar gjithsej 157 raste ose 1.7 për qind, vdekje në fatkeqësi janë 103 raste ose 65.6 për qind vetëvrasje janë 39 raste ose 24.8 për qind dhe vrasje janë 15 raste ose 9.6 për qind. Tek fatkeqësitë, dominon mosha 50 e më shumë vjeç për meshkuj, ndërsa tek vetëvrasjet dhe vrasjet, dominon grup – mosha 20-40 vjeç.

Foshnje të vdekura për vitin 2019 u raportuan gjithsej 189 raste, ku pjesëmarrja e tyre në gjithsej të vdekur është 1.8 për qind. Foshnje të vdekura meshkuj janë 97 raste ose 51.3 për qind dhe foshnje të vdekura femra janë 92 raste ose 48.7 për qind.

Kurse, foshnje të vdekura deri 6 ditë kanë qenë 118 raste ose 62.4 për qind 7 deri 27 ditë kanë qenë 45 raste ose 23.8 për qind dhe 28 deri në 364 ditë kanë qenë 26 raste ose 13.8 për qind.