Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Carlos Slim – katër herë njeriu më i pasur i botës

Carlos Slim Helú ka lindur më 28 janar 1940 në Meksiko City nga Khalil Salim Haddad Aglamaz dhe Linda Helú Atta, të dy me prejardhje nga Libani.

Carlos mori mësime të biznesit nga babai i tij, i cili i mësoi atij financa, menaxhim dhe kontabilitet.

Si 12 vjeç, ai bëri blerjen e parë të aksioneve në një bankë meksikane. Në moshën 15 vjeçare, Slim ishte bërë aksionar në bankën më të madhe të Meksikës.

Ai ka studiuar inxhinieri civile në Universitetin e Pavarur Kombëtar të Meksikës, ku mësoi njëkohësisht algjebër dhe programim linear. Megjithëse Slim ishte një inxhinier civil, ai gjithashtu tregoi një interes për ekonominë.

Pas diplomimit, ai filloi karrierën si tregtar i aksioneve në Meksikë, duke punuar shpesh deri 14-orë ditë.

Më 1965, fitimet nga investimet private të tij arritën në 400 mijë dollarë. Një vit më vonë, pasuria e tij do të rritej në 40 milionë dollarë ku dhe themeloi kompaninë e patundshmërive Carso. Ai më vonë u zgjerua në industri të shumta.

Gjatë rënies ekonomike të Meksikës, para shërimit të saj në vitin 1985, Slim investoi shumë. Ai bleu të gjitha ose një përqindje të madhe të shumë bizneseve meksikane, duke përfshirë Empresas Frisco, një kompani minerare që nxirrte ar, argjend, bakër, plumb dhe zink.

Slim bëri një pasuri të madhe në fillim të viteve 1990-ta, kur Meksika privatizoi industrinë e telekomit dhe Grupo Carso e bleu Telmex-in nga qeveria meksikane. Në vitin 1999, ai filloi t’i zgjerojë interesat e tij të biznesit përtej Amerikës Latine, megjithëse pjesa më e madhe e pronave të tij ende mbeten në Meksikë.

Më 29 mars 2007, Slim tejkaloi investitorin amerikan Warren Buffett si personin e dytë më të pasur në botë.

Sipas revistës Forbes, nga viti 2010 deri në vitin 2013, Slim u rendit si personi më i pasur në botë. Më 10 mars 2010, Forbes raportoi edhe një herë që Slim kishte kapërcyer Bill Gates si personin më të pasur në botë. Në mars të 2011-së, Forbes deklaroi se Slim kishte mbajtur pozicionin e tij si personi më i pasur në botë. Në dhjetor të 2012-së, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg, Carlos Slim Helú mbeti personi më i pasur në botë me një vlerë neto prej 75.5 miliardë dollarë. Më 5 mars 2013, Forbes deklaroi se Slim ishte ende duke ruajtur pozicionin e tij të vendit të parë si personi më i pasur në botë, me një vlerë neto të vlerësuar prej 73 miliardë dollarë.

Slim nuk ka shkuar aq larg sa Gates dhe Buffett me premtimin se do të jap gjysmën e pasurisë së tij, por ka premtuar se do të jap mjaftueshëm për filantropinë. Ai ka themeluar tri fonde filantropike: një për artin dhe arsimin, një për sportin dhe një për restaurimin e qendrës së qytetit të Meksiko Cityit.

Që nga muaji shkurt i vitit 2020, ai është personi i pestë më i pasur në listën e miliarderëve.

Slim është personi më i pasur në Amerikën Latine me një pasuri të përgjithshme rreth 70 miliardë dollarë.

Konglomerati i tij i pasurisë përfshin arsimin, kujdesin shëndetësor, prodhimin industrial, transportin, pasurinë e patundshme, mediat, energjinë, hotelerinë, argëtimin, teknologjinë e lartë, sportin dhe shërbimet financiare.

Pasuria e Slim përbën 40 për qind e listës së bizneseve të Bursës së Meksikës. Vlera neto e pasurisë së tij është e barabartë me rreth 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Meksikës.

Që nga vitit 2016, Slim është aksionari më i madh i New York Times Company, e cila boton gazetën e famshme The New York Times.

Në zyrën e tij, ai nuk ka kompjuter dhe në vend të kësaj preferon t’i mbajë të gjitha shënimet e tij financiare në fletoret e shkruara me dorë. /Gazeta Ekonomia/