Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Cilat janë procedurat e transferimit të mjeteve të Thesarit të Kosovës?

Struktura e transferit të mjeteve financiare të buxhetit të Kosovës është e shpërndarë në disa zyrtarë, me hallka të shumta të kontrollit, kurse ka zyrtarë që kanë kompetenca më specifike.

Përgjegjësitë dhe menaxhimi i mjeteve financiare, në faqen zyrtare të Ministrisë se Financave, në kuadër të se cilës funksionon Thesari i Kosovës, janë të publikuara në Procedurat për Menaxhimin e qasjes së përdorueseve në Sistemin Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës, i quajtur me shkurtesën SIMFK.

Në këtë sistem, përveç punonjëseve të Thesarit, të drejtë të qasjes kanë edhe punonjës të organizatave buxhetore, që caktohet nga organizatat përkatëse, por vetëm pasi të kaluar procesin e trajnimit dhe certifikimin për modulin përkatës.

Nën organizata buxhetore hyjnë ministritë dhe agjencitë e ndryshme të shtetit. Përdoruesit e sistemit vazhdimisht monitorohen.

Përdoruesi i këtij sistemi në momentin që pranon kërkesën e aprovuar nga Thesari për qasje në SIMFK, e bën regjistrimin, i caktohet ID e përdoruesit, fjalëkalimi, klasa funksionale dhe grupi i sigurisë.

Numri identifikues dhe fjalëkalimi i jepet vetëm shfrytëzuesit. Klasat funksionale, e që janë 33 të tilla, përcaktojnë qasjen në funksione të caktuara për përdoruesit, sipas përgjegjësive që ka.

Nga këto klasa, qasje në të gjitha funksionet dhe modulet e sistemit mund të ketë vetëm udhëheqësi i Divizionit për Menaxhim dhe kontroll të brendshëm dhe analistë funksionalë, si dhe ndonjë zyrtar alternativ me autorizim të zëvendësdrejtorit të operimeve.

Në klasë tjetër, kanë të drejtë të kenë qasje zyrtarët e organizatave buxhetore, zyrtarë të regjistrimit të pasurive, zyrtarët zotues për kërkesa për blerje, e të tjera.

Por, të gjithë këta persona zyrtarë kanë kode dhe fjalëkalime të ndryshme për të realizuar transferet. Kurse në Divizionin e pagesave në Thesar, të drejtë kanë vetëm punëtorët e Thesarit.

Çdo regjistrim i transferove në fund të ditës duhet të verifikohet.

Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, personi që ka përgjegjësi për të realizuar transfere, vazhdimisht duhet të jetë i monitoruar, i kontrolluar nga zyrtarët e tjerë.

Në bazë të procedurave, çdo regjistrim i transfereve në fund të ditës duhet të verifikohet, kryesisht shumat e mëdha të mjeteve. Nevojitet edhe të kontaktohen organizatat buxhetore dhe të pyeten se a kanë realizuar vlerën e caktuar të pagesës.

Monitorimin e transferave të mjeteve e realizon një tjetër Departament, që kompleton dosjen e pagesave të të gjitha organizatave buxhetore.

Në rastin kur Njësia e Monitorimit konstaton se përdoruesi bën gabime sistematike gjatë regjistrimit të transaksioneve në SIMFK, Thesari do të ndërmerr masa duke filluar me vërejtje, pezullim i përkohshëm i qasjes, deri tek marrja e certifikatës për SIMFK të lëshuar nga Thesari.

Në këto raste, për rimarrjen e qasjes, do të iniciohet procedura nga fillimi sikur për përdoruesit e rinj, nëse organizata buxhetore ende konsideron se ai zyrtar financiar mund ta kryejë atë rol. /REL/