Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Contour Global e dërgon Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit për termocentralin ‘Kosova e Re’

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit njofton se është hapur konteksti me investitorin Contour Global në Gjykatë e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Sipas MEA-së, pas dështimit të zgjidhjes së marrëveshjes lidhur me termocentralin “Kosova e Re”, kompania amerikane e ka dërguar rastin në Arbitrazh.

“Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet Mbyllja Financiare e projektit termocentrali ‘Kosova e Re’. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Contour Global. Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit ka marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet në njoftimin e MEA-së.

Në mars të këtij viti, kompania amerikane Contour Global, e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, pati njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, për arsye se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, ishte nënshkruar në vitin 2017, ndërkohë që përgatitjet për këtë projekt kishin filluar qysh në vitin 2001.

Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023 dhe ndërtimi i tij do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Por, ndërtimi i termocentralit është kundërshtuar nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët në vazhdimësi e kanë konsideruar si projekt të dëmshëm për mjedisin.

Kosova ka konsideruar në vazhdimësi ngritjen e kapaciteteve energjetike përmes thëngjillit, pasi që ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi.

Kosova ndërkohë vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Problemi me furnizim stabil me energji elektrike në Kosovë së fundi është theksuar edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve të publikuar më 9 shtator.

Sipas këtij raporti, Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por një nga problemet që pengon ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë është edhe furnizimi jo i besueshëm i energjisë.