Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Çrregullimet e shkaktuara nga pandemia e COVID-19 krijojnë edhe mundësi për prodhuesit

Sfidat në të bërit biznes të cilat janë paraqitur nga pandemia COVID-19 dhe çrregullimet në zinxhirë ndërkombëtarë të furnizimeve po krijojnë mundësi për zhvillimin e disa industrive në Kosovë sidomos sektorin e prodhimit. Në këto kohë pasigurie kur niveli i konsumit është më i lartë, roli i prodhuesve të cilët tani kanë ndikimin më të madh në ekonominë e shtetit po shihet si gjithnjë e më i rëndësishëm.

Pikërisht kjo perspektivë mbi ndikimin, sfidat dhe mundësitë e krijuara nga kjo situatë ka qenë tema e diskutimit në forumin virtual i cili u organizua nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me panelistët Visar Ramajli, bashkëpronar dhe partner menaxhues në fabrikën e produkteve të plastikës KIVO dhe Mërgim Prishtina, kryeshef ekzekutiv dhe themelues i kompanisë prodhuese farmaceutike Trepharm.

Visar Ramajli nga kompania KIVO, tha se edhe të gjitha industritë janë goditur nga pandemia, si në aspektin e vështirësimit të zinxhirëve botëror të furnizimit por edhe implikimeve që kanë buruar nga vendimet e qeverisë.

Ramajli megjithatë tha se pavarësisht këtyre problemeve të krijuara, nuk ka pasur ndërprerje të plotë të prodhimit dhe qarkullimit të mallrave.

Duke folur për ndikim e përgjithshëm në ekonomi, Ramajli tha se në këtë kohë nuk mund të ketë një vlerësim të mirëfilltë për gjendjen dhe pasojat e pandemisë por duhet të punohet në zhvillimin dhe forcimin e ekonomisë, duke shtuar se do të ketë mundësi të reja për industritë prodhuese në periferi të Evropës, meqë me gjasë kompanitë e mëdha do të zhvendosin prodhimin ose furnizimin e tyre nga Azia.

Kurse, duke u ndërlidhur me rikuperimin ekonomik pas pandemisë, Ramajli tha se shteti i Kosovës duhet të bëhet më atraktiv për investitorët e huaj në mënyrë që të arrihet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.

Mërgim Prishtina nga kompania Trepharm, tha se kjo situatë e krijuar ka pasur ndikim të madh në industritë prodhuese e sidomos ato farmaceutike, për shkak të kërkesës së rritur.

Ai tha se situata e re pas pandemisë do të krijojnë një mundësi të re për kompanitë prodhuese në Kosovë. Megjithatë ai foli edhe për nevojën e ndryshimit të perceptimit që politikbërësit në Kosovë kanë për ndërmarrësit në Kosovë në përgjithësi, duke theksuar se përmes bashkëpunimit të ngushtë mund të diskutohet edhe për fuqizimin e prodhimit në përgjithësi por edhe të rikuperimit të shpejtë pas përfundimit të pandemisë.

Prishtina, më tej tha se prodhuesit nga Ballkani po planifikojnë që të nisin prodhimin e produkteve të cilat deri më tani kanë qenë të kontraktuara në shtetet e tjera, për të plotësuar kështu edhe nevojat e brendshme të konsumit, por edhe nevojat e kontinentit të Evropës në tërësi.