Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Dështon votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të tretë të votojë në lexim të parë Projketligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Gjatë seancës, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga deputetët që të votojnë këtë Projektligj, sepse vetëm në këtë mënyrë, mundësohet zbatimi i fondit për ndihmë ndaj bizneseve.

“Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka në vete disa nene, të cilat e bëjnë të mundshme zbatimin e qeverisë për rimëkëmbje ekonomike. Përveç 10 përqindshit nga Trusti i Kursimeve Pensionale, është edhe kapitalizimi i Fondit për garantimin e kredive deri në 100 milionë, mbulimi i kamatave për të gjitha bizneset që do të marrin kredi, mundësi që edhe fermat e vogla të marrin kredi”, tha Bajrami.

Partia Demokratike e Kosovës, nuk e përkrah këtë Projektligj, pasi sipas tyre, ky nuk sjell përfitime për të gjitha kategoritë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se nëse janë në pyetje vetëm mjetet e Trustit të Kursimeve Pensionale, mund të ndryshohet Ligji për Fondet Pensionale.

“Amandamenti i këtij Ligji për Fondet Pensionale, me një nen dhe kjo punë kryhet dhe i njëjti të trajtohet në të njëjtën ditë, brenda dy seancave dhe të përfundohet. Mirëpo të thuhet se është Projektligj për Rimëkëmbje Ekonomike dhe faktikisht nuk ka përkrahje domethënëse, nuk them se nuk ka asgjë, por nuk ka përkrahje domethënëse, për sektorin privat për të punësuarit në sektorin privat dhe për kategoritë tjera të cilat janë në nevojë ne e kemi problem”, tha Hamza.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se nuk është hera e parë që Lidhja Demokratike e Kosovës ka tentuar t’i fusë duart në Trust, sepse Trusti është çështja kryesore që po flitet në këtë Projektligj.

“Tashmë e kemi rastin tjetër, ku po tentohet që të hapet dera fillimisht, duke i thënë qytetarëve se do marrin nga 10 për qind të mjeteve të kursyera. Por, unë i garantoj qytetarët se kjo nuk do të përfundojë këtu. Shumë shpejtë do ndodh që prapë do të na sjellin edhe një ligj tjetër, sa herë që qeveria nuk mund të kryejë punët e veta, sikur po ndodh tani, edhe të thuhet që të i’a mundësojmë qytetarëve edhe 10 për qind, ndoshta edhe 10 për qind me ia dhënë Qeverisë. Pra, vetë qeveria me i marr paratë e kursimeve”, u shpreh Murati.

Votimi i këtij Projektligji do t’iu mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues.

Kjo i bie se vlera e përgjithshme që do të mund të tërhiqej nga Fondi është rreth 200 milionë euro, mjete këto, që sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë konsideruar se do të stimulonin kërkesën agregate në treg.

Projektligji që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën prej 385 milionë eurove. Ky projektligj synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, t’iu ndihmojë bizneseve pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19

Para fillimit të seancës së Kuvendit, edhe subjektet ekonomike në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda e Afarizimit të Kosovës, kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të arrijnë konsensus për legjislacionin për rimëkëmbje.

Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga Qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë COVID-19.