Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

DFC diskuton me Odën Ekonomike Amerikane për rritjen e investimeve amerikane dhe të huaja në Kosovë

Një delegacion i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në Shtetet e Bashkuara (DFC) ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane, ku ky delegacion ka prezantuar vizionin e tij për të rritur investimet amerikane në Kosovës.

DFC ka prezantuat vizionin e saj për të hapur dhe rritur investimet amerikane dhe të huaja në Kosovë, si dhe instrumentet e reja të përkrahjes që kjo korporatë ka në dispozicion për të avancuar zhvillimin ekonomik të udhëhequr nga sektori privat.

Sipas njoftimit, zyrtarët e OEAK-ut, kanë informuar delegacionin e DFC-së, të përbërë nga Caleb McCarry, Brian Martalus dhe John Jovanoviq, për sektorët që kanë mundësi më të mëdha për investime në Kosovë.

“Të dyja palët u dakorduan për të filluar bashkëpunimin për përmirësim të klimës së biznesit në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Më herët gjatë kësaj jave, përfaqësues të DFC-së kanë nënshkruar marrëveshje me përfaqësues nga Kosova dhe Serbia për zbatim të pikave që parashihen në marrëveshjen për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Në marrëveshjen e 4 shtatorit është paraparë ndërtimi i Autostradës së Paqes (Prishtinë-Merdare), marrëveshje për të cilën është arritur më 14 shkurt, 2020.

Po ashtu, është paraparë edhe projekti i linjës hekurudhore Nish-Prishinë si dhe ai i linjës ajrore Prishtinë-Beograd.