Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Ekonomia post-Coronavirus: Çfarë pritet të ndodhë?

Milton Friedman, nobelist dhe një nga ekonomistët më ndikues i shekullit XX-të, ju përsëriste shpesh studentëve të tij të ekonomisë në Universitetin e Çikagos se, “ju po përgatiteni për një profesion të vështirë, shpesh të pakuptueshëm dhe të çuditshëm për shumicën e njerëzve… Kur çdo gjë shkon mirë dhe të gjithë janë të kënaqur me fitimin dhe konsumin, ju duhet të filloni të analizoni dhe paralajmëroni krizën ekonomike që afrohet në horizont – në fund të fundit kjo është logjika e funksionimit të kapitalizmit. Kur gjithçka shkon keq dhe kriza ka pllakosur vendin e të gjithë janë të dëshpëruar dhe pesimistë, ju duhet të tregoheni optimistë se ringritja dhe rritja ekonomike do të fillojë së shpejti – natyrisht duke u treguar inteligjentë në kapjen e oportuniteteve të së ardhmes – kjo është ecuria e cikleve ekonomike dhe zhvillimit”.

Edhe në këtë kohë krize ekonomike e financiare që rëndom po quhet “kriza e Coronavirusit” kur tashmë konstatimet se, “ekonomia po fillon të rrezikohet seriozisht” apo “kohë të vështira na presin”, po zëvendësohen me pohimet se “recesioni është i pashmangshëm” apo “se duhet bërë gjithçka për të shmangur depresionin ekonomik”, se parashikimet e zymta shkojnë deri atje sa të vlerësojnë se rreth 10-15 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto në nivel botëror mund të “avullojë” gjatë vitit 2020, ose një humbje prej rreth 10-12 triliardë dollarë, ekonomistët dhe institucionet e specializuara në këtë fushë po reflektojnë intensivisht se si do jetë “day after”, çfarë pritet të ndodhë me ekonominë në epokën “post-Coronavirus”, cilat janë sfidat që na presin dhe si duhet të përgatitemi për to?

Masat mbështetëse dhe politikat buxhetore e monetare që po preferohen masivisht në këtë situatë, po na përgatisin pozitivisht apo negativisht për daljen nga kriza?

Recesioni ekonomik po troket në dyert e shumë ekonomive të shteteve. Llogaritjet janë përqendruar në gjerësinë dhe kohëzgjatjen e tij, elemente që do të përcaktojnë numrin e falimentimeve, numrin e të papunëve, koston e mbështetjes masive të ekonomisë që po aplikohet aktualisht.

Turizmi, shërbimet, tregtia, hoteleritë e restorantet, industria, ndërtimi dhe transporti janë sektorët që janë prekur rëndë. Shkalla e dëmtimit të këtyre sektorëve do të jetë në funksion të periudhës së bllokimit të aktivitetit ekonomik dhe “distancimit social”, nga “përfitimet e tyre në raport me paketat ndihmëse ekonomiko-financiare”, nga mundësia dhe kapaciteti i tyre për ta përballuar individualisht krizën e kësaj situate të jashtëzakonshme.

Por, shumë ekspertë, ekonomistë e bankierë, mendojnë se, “Coronavirusi ishte goditja e fundit dërrmuese e një recesioni të paralajmëruar që dëshmonte fundin e një cikli 10-12-vjeçar ekonomik e financiar dhe hedhjen e bazave për fillimin e një cikli të ri, pjesa më shpresëdhënëse e të cilit janë vitet e para kur ndodh dhe rritja ekonomike intensive”.

Kontraktimi aktual i aktivitetit prodhues e shërbimeve, a do të shoqërohet, ashtu siç ndodhi në vitin 2010, me një zhvillim intensiv ekonomik dhe financiar, apo ky recesion do të zgjasë më shumë duke marrë përmasat e një stagnimi afatgjatë?

Analizat dhe diskutimet janë përqendruar në parashikimin e formës që pritet të ketë ky proces: do jetë në formë “V” e që do të thotë një rënie e shpejtë dhe një ringritje po kaq e shpejtë; në formë “U” që do të thotë një rënie stagnimi e ringritje; në formë “L” si një rënie dhe një stagnim i gjatë më pas; apo në formë E që do të thotë një rënie, ringritje e lehtë, rënie dhe pastaj një ringritje më e qëndrueshme.

Ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropaine për Rindërtim dhe Zhvillim apo Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik janë të ndarë në vlerësimet e tyre ndërmjet modelit “V” dhe “U”, ndërkohë që vendet e varfra dhe të pazhvilluara nuk përjashtohet mundësia e modelit “L”.

Nëse bizneset mund t’i shtyjnë dhe t’i realizojnë disa muaj më vonë investimet e tyre, të cilat aktualisht janë të kontraktuara, atëherë, modeli “V” është më i mundshëm, duke i hapur rrugën një faze të re të rritjes ekonomike; por, nëse një numër i madh biznesesh apo agjentësh ekonomikë, dobësohen rëndë dhe nuk rezistojnë dot në këtë situatë, atëherë, modeli “U” dhe në rastin më të keq dhe më pesimist, modeli “L” mund të jetë skenari i mundshëm që e pret ekonominë.

Gjithçka varet nga mundësitë e bizneseve për të mbajtur dhe ruajtur kapacitetet e tyre prodhuese, duke “krijuar mundësitë që të përfshihen më shpejt në fazën rritëse që pritet të ndodhë”, ndërsa dobësimi apo rreziku i falimentimit të tyre, do të shkatërronte kapacitetet prodhuese të tyre duke e bërë të vështirë rritjen e investimeve dhe përfshirjen në fazën e rritjes ekonomike intensive të “fillimit të ciklit të ri ekonomik post-Coronavirus”.

Vende të ndryshme tashmë kanë filluar analizat dhe llogaritjet se cila do jetë kurba e ndryshme e ciklit post-Coronavirus. Kështu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Franca, Anglia, Sllovenia, Holanda, Belgjika e Turqia, mendojnë se do jenë në situatën “V”; Spanja, Greqia, Kroacia, Serbia, Portugalia, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi vende ku turizmi zë një peshë të rëndësishme në ekonomi, vlerësojnë se kurba më mundshme për to është “U”-ja. Besoj se edhe Shqipëria duhet të përgatitet për një kurbë “U”, por koha për të filluar ringritjen ekonomike intervali i poshtëm i “U”-së pritet të jetë pak më e gjatë për faktin se ne pësuam dy goditje të rënda, tërmetin e 26 nëntorit dhe efektin e koronavirusit, ndërkohë që jemi një vend shumë i varur nga konsumi i brendshëm, ecuria e të cilit kushtëzon dhe një pjesë të rëndësishme të të ardhurave buxhetore. Ndërkohë, mjaft prej vendeve të varfra apo në zhvillim, i tremben një skenari të kurbës “L”, me vështirësi të mëdha për të filluar rringritjen.

Në këtë këndvështrim, tashmë ka filluar dhe vlerësimi i politikave ekonomike, financiare e monetare relaksuese që po aplikohen për përballimin e krizës. Cili do të jetë efekti i tyre në “ekonominë e muajve të ardhshëm”? Një nga përgjigjet që po bëhet frekuente është se, “politikat monetare që duket se kanë arritur në kufinjt e tyre me injektimet masive të monedhës në qarkullim nuk jep garanci se do ketë reaksion pozitiv nga agjentët ekonomikë dhe mbështetjen strukturore të ekonomisë”.

Përqindjet negative të interesit janë një fenomen i ri i panjohur dhe i papërdorur në krizat e tjera, qoftë në vitin 1929 apo në vitin 2008. Pikëpyetjet për efektet kolaterale të tyre, sidomos në periudha afatmesme janë të mëdha. Mbështetja direkte dhe indirekte e bizneseve me likuiditet duhet të vazhdojë gjatë gjithë periudhës së bllokimit të aktiviteteve të tyre duke mos qënë e kufizuar në vetëm disa javë apo muaj.

Nga pikëpamja makroekonomike, sidomos vendet e zhvilluara, po orientohen çdo ditë e më shumë drejt stimujve buxhetorë duke rritur ndjeshëm deficitet buxhetore dhe borxhin publik. Por, përtej euforisë së momentit për efektet e tyre pozitive në shpëtimin e ekonomisë, tashmë shumica e agjentëve ekonomikë mendojnë se kjo nuk është gjë tjetër veçse një taksë e re speciale afatgjatë që synon shfrytëzimin apo përdorimin e sotëm të një pjese të rritjes ekonomike të së nesërmes.

Ekspertë të shumtë vlerësojnë se përdorimi kaq i gjerë i këtij instrumenti krijon efektin e quajtur “crowding out”, sipas së cilit rritja e madhe e shpenzimeve publike dekurajon investimet dhe shpenzimet private, sidomos në periudhën e post-krizës.

Debati më i madh ndërmjet ekonomistëve, politikanëve dhe bankierëve ka të bëjë me dilemën “nëse në këtë situatë krize emergjence ekonomike, ndihmat për biznesin duhet të jenë automatike dhe gjithëpërfshirëse, duke harxhuar para buxhetore edhe për biznese jo rentabël dhe informalë, apo që në këtë fazë përveç ndihmave direkte për punëtorët dhe garantimin e fuqisë blerëse dhe konsumit të tyre të ketë një përzgjedhje paraprake se cili biznes do ndihmohet?

Nëse duhet të pranojmë veprimin e procesit Shumpeterian të “shkatërrimit krijues” që në këto momente, apo ky proces duhet shtyrë për një fazë të mëvonshme post-krizë? A duhet të mendojmë që tani në këto kushte emergjence, që paratë kryesore mbështetëse të qeverive dhe bankave, do me thënë fluksi i kapitaleve, të fokusohen jo vetëm në sektorët më të prekur nga kriza, por gjithashtu të kenë dhe “një sy hapur drejt bizneseve e inovative të së ardhmes, drejt ndërmarjeve, degëve e aktiviteteve që garantojnë kontribut të madh në rritjen ekonomike.

A duhet të “ruajmë dhe konsolidojmë” një kategori biznesesh, kryesisht të mëdha dhe shumë të mëdha, që mbijetojnë vetëm falë mbështetjes dhe garancisë shtetërore, vetëm falë klientelizmit politik e tenderëve publikë, në dëm të një konkurrence të ndershme e transparente në treg? Së fundi, bllokimi aktual i flukseve të tregtisë ndërkombëtare, po krijon bindjen se, “zhvillimet ekonomike të së ardhmes do tentojnë drejt një lokalizimi më të madh të industrive kryesore prodhuese e shërbimeve”.

“Globalizimi” që çdo ditë e më tepër po shpallet e vlerësohet si një nga shkaktarët e këtij kolapsi ekonomik, po reflektohet që të zëvendësohet me “globalizimin”, si tendencë e ruajtjes se veçantisë së vlerave kombëtare e vendore.

Shumë nga vendet e zhvilluara po mendojnë skenarë të “rikthimit në atdhe” të një pjesë të kapitaleve dhe industrive prodhuese në mënyrë që të jenë më të strukturuar dhe të pavarur në përballimin e krizave të ardhshme. Natyrisht që kjo tendencë do ndikojë shumë në gjithë ekonomitë e vendeve të ndryshme të botës, sidomos në vendet në zhvillim të cilat janë shumë të ekspozuara nga globalizimi, sidomos në raport me investimet e huaja direkte.

Edhe pse në valën e luftës dhe angazhimeve maksimale me natyrë shëndetësore, analizat dhe gjykimet për skenarët e pritshëm ekonomikë post-Coronavirus mund të duken paksa “luks e të parakohshëm”, pikërisht kur kurba e Coronavirusit do të jetë drejt fundit, kurba e efekteve negative në ekonomi do të jetë në majën e saj, duke kërkuar masa e politika të sakta për të dalë sa më pak të dëmtuar ekonomikisht e financiarisht dhe për të patur gati strategjitë e zhvillimit në ciklin e ri ekonomik që pritet të fillojë në rastin më të mirë në tremujorin e tretë ose të katërt të këtij viti, ose në rastin më pesimist, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021.

Autor: Adrian Civici
Është profesor në shkencat ekonomike, autor i disa librave dhe studimeve, pedagog dhe drejtues i bordeve dhe këshilltar për politikat ekonomike

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e Gazeta Ekonomia