Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Ekonomiksi i Coronavirusit

Ministrat e Financave dhe guvernatorët e shtatë vendeve më të fuqishme të botës janë betuar se do të përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme politike” për të kufizuar kërcënimin ekonomik të shkaktuar nga Coronavirusi. Por ata nuk i kanë dhënë përgjigje pyetjes se, cilat janë këto mjete dhe se si funksionojnë ato?

Përgjigjja e menjëhershme mori formën e uljes së interesave nga ana e bankës qendrore, ku Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëvizi me shpejtësi për të goditur jashtë shënjestrës. Megjithëse bankat qendrore mund të lëvizin me shpejtësi, fakti është që nuk ka shumë se çfarë të bëjnë, nëse vërejmë se normat e interesave janë sakaq shumë të ulëta. Në çdo rast, dështimi i Rezervës Federale për t’u koordinuar me bankat e tjera qendrore të mëdha ka dërguar edhe një mesazh negativ mbi koherencën e përgjigjes.

Për më tepër, politika monetare nuk mund të rregullojë shkëputjet në zinxhirët e furnizimit. Miku im Brad DeLong është përpjekur të më bindë se një injektim i likuiditetit nga bankat qendrore mund të ndihmojë të vendoset sërish në lëvizje trafiku botëror, siç ndodhi në vitin 2008. Por problemi në vitin 2008 ishte se shkëputjet në zinxhirin e qarkullimit financiar, të cilat injektimet e likuiditetit nga bankat qendrore arritën t’i riparonin.

Problemi sot është një ndalesë e papritur e prodhimit, të cilën politika monetare nuk ka mjete për ta kompensuar. Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell nuk ka fuqi të hapë fabrikat e mbyllura nga karantina pavarësisht se çfarë mendon për këtë çështje presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Në të njëjtën mënyrë, politika monetare nuk do t’i kthejë blerësit në dyqane apo udhëtarët në aeroplanë për sa kohë shqetësimi i tyre kryesor është siguria dhe jo kostoja. Ulja e interesave nuk bën dëm, nëse shohim se inflacioni, sakaq i përmbajtur, pritet të bjerë edhe më tej, por nuk mund të presim ndonjë ndihmë më të madhe ekonomike prej tyre.

E njëjta gjë është e vërtetë, për fat të keq edhe për politikën fiskale. Kreditet fiskale nuk do të rindezin prodhimin kur firmat janë të shqetësuara për shëndetin e punëtorëve të vet dhe rrezikun e përhapjes së sëmundjes. Ulja e taksave mbi pagën nuk e rrisin dot aftësinë shpenzuese të konsumatorëve kur këto të fundit janë të shqetësuar mbi sigurinë shëndetësore në dyqanet e ushqimit të shpejtë të tyre të parapëlqyer.

Për rrjedhojë prioritet duhet të jetë gjetja, kufizimi i përhapjes dhe trajtimi. Këto detyra kërkojnë burime fiskale, por suksesi i tyre varet më shumë nga aftësia administrative. Rivendosja e besimit publik kërkon transparencë dhe saktësi në raportimin e infektimeve dhe viktimave. Kjo kërkon t’i japësh autoriteteve të shëndetit publik atë lloj autonomie që sot e kanë bankat qendrore të pavarura. Për fat të keq kjo nuk është diçka që i vjen si e natyrshme udhëheqësve të llojit të Trumpit.

Megjithatë, edhe politika fiskale ekspansioniste, njësoj si politika monetare ekspansioniste, nuk bën dëm. Këtu, Italia ka treguar rrugën, duke shtyrë pagesat e taksave dhe kredive, duke ofruar kreditë fiskale për firmat e vogla dhe duke shtuar shpenzimet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar se deri më tani ka më pak gatishmëri për të vepruar, duke dështuar edhe të nxisin njerëzit të kërkojnë testim duke i ndihmuar ata të paguajnë faturat shëndetësore.

Një pengesë për ndihmë fiskale është efekti i saj i rrjedhjeve jashtë vendit, për shkak se një pjesë e parave përfundojnë për shpenzime shtesë për mallra të importuara. Për rrjedhojë, secili prej autoriteteve fiskale ngurron të lëvizë dhe qeveritë ofrojnë më pak stimuj nga sa nevojitet. Kjo justifikon një ndërhyrje të koordinuar në iniciativa fiskale, siç bënë vendet e G20-së në vitin 2009. Por nga standardet e atij viti, deklarata e fundit e G7-së premtoi se do të ndërmerret “çdo gjë që është nevojitet”, nuk ishte asgjë dhe bëri asgjë për të nxitur besimin se qeveritë mund të ndërmarrin hapa të koordinuara për të luftuar këtë problem botëror.

Pastaj janë edhe kritikët e politikave fiskale dhe monetare, të cilët besojnë se ndërhyrjet zyrtare do të jenë kundërprodhuese. Ata paralajmërojnë, për shembull, që sistemet financiare dot ë dëmtohen nëse bankat qendrore i dërgojnë edhe më thellë në një territor negativ normat e interesit. Por, me siguri ekziston një normë interesi mjaftueshëm poshtë zeros ku bankat mund të fillojnë të dëmtohen, të gjitha provat tani për tani tregojnë se jemi shumë larg kësaj pike.

Përveç kësaj, ne kemi frikë se stimujt fiskalë nga qeveritë të ngarkuara shumë me borxhe do të minojë besimin, në vend që ta nxisë atë. Japonia, thuhet, është e mbingarkuar me borxhe në nivel të rrezikshëm. Ky argument i ekzagjeruar injoron faktin se Qeveria e Japonisë ka asete të mëdha të sektorit publik sa për të kompensuar borxhin e vet publik. Në mënyrë të ngjashme, ne rikujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një barrë që pritet të vijë për pensionet, një argument që injoron faktin se norma e interesit mbi borxhin publik është në mënyrë të vazhdueshme poshtë normës së rritjes ekonomike. Deri sa ndërmarrjet shtetërore të Kinës mund të kenë borxhe masive, sistemi financiar i kontrolluar rreptë kufizon rrezikun e një krize financiare të llojit të asaj që kritikët e vendit kanë qenë duke parashikuar prej shumë vitesh.

Bankat qendrore dhe udhëheqësit politikë, përballë një krize botërore, duhet të injorojnë këto argumente me defekte dhe të përdorin politikat monetare dhe fiskale për t’u siguruar që tregu është likuid, që firmat e vogla do të mbështeten dhe që shpenzimet do të nxiten. Por ata duhet të pranojnë se këto përgjigje skolastike do të kenë vetëm efekte të kufizuara kur problemi nuk është një mungesë likuiditeti, por një çrregullim në zinxhirin e furnizimit dhe një frikë infektimi. Sot, stabiliteti ekonomik varet para së gjithash nga veprimet e autoriteteve të shëndetit publik, të cilëve duhet t’u jepen resurset dhe autoriteti për të bërë punën e tyre, përfshirë lirinë për të bashkëpunuar me homologët e tyre jashtë vendit.

Në luftën kundër pandemisë COVID-19, ekonomistët dhe politikëbërësit e saj si dhe organizata si G7-ta duhet të pranojnë me përulësi se, “të gjitha mjetet e nevojshme” do të thotë, mbi të gjitha, ato mjete që përdoren nga mjekët dhe epidemiologët. Koordinimi, autonomia dhe transparenca duhet të jenë fjalët kyçe.

Autor: Barry Eichengreen
Është profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë dhe ish-këshilltar i politikave në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Libri i tij i fundit është “The Populist Temptation: Economic Grievance and Political Reaction in the Modern Era”

Marrë me autorizim për Gazeta Ekonomia. Kujdes, nuk mund të ribotohet pa lejen e Project Syndicate!