Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Ekzekutohet edhe pjesa e dytë e mjeteve për bizneset në kuadër të Fondit të Rimëkëmbjes

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit njofton se sot ka bërë ekzekutimin e pjesës së dytë të mjeteve në mbështetje financiare për bizneset në kuadër të Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Sipas MEA-së, shuma e ekzekutuar kap vlerën e 16 milionë e 424 mijë e 476 euro për gjithsej 11,244 biznese të cilat i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e parapara.

Dy ditë më parë MEA ka bërë pagesën e parë në vlerë prej 37,710,730 euro subvencione për 15,474 biznese.

Kjo shumë ndahet në zbatim të Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike i miratuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës ku vlera totale e këtij program është 60 milionë euro.

Pjesa tjetër e vendimit do të zbatohet në ditët në vijim ku do të përfitojnë të gjitha bizneset, të cilat kanë aplikuar sipas kritereve të parapara.

Po ashtu, Qeveria ka paralajmëruar se në pjesën e dytë të muajit tetor dhe nëntor pritet të ndahen edhe ndihma të tjera financiare për bizneset.

Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon Emergjente Fiskale, në vlerë të rreth 180 milionë eurove. Kjo Pako, e cila kishte për qëllim të zbuste problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19, nga Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Kurse, disa nga masat e saj janë duke u zbatuar pas ardhjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

Të hënën, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka votuar sot në lexim të parë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ky Projektligj kishte dështuar të votohej për gjashtë herë që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë para deputetëve.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.