Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Frika nga revolucioni i rrjetit 5G

Gjenerata e pestë e rrjeteve mobile, e njohur si 5G, u paralajmërua me madhështi, ndërkohë që fillimi i zbatimit u përcoll me reagime e kundërshtime të ashpra.

Kjo gjeneratë, është menduar që të rrisë ndjeshëm shpejtësinë e internetit në pajiset telefonike.

Krahasuar me 4G-në, kjo gjeneratë ofron brezë të gjerë disa herë më të lartë dhe vonesa më të ulëta transmetimi. Projektuesit e kishin prezantuar 5G-në të jetë të paktën 100 herë dhe deri në 1 mijë herë më e shpejtë se 4G-ja, duke bërë të mundur shkarkimin e filmave me rezolucion të lartë në vetëm pak sekonda.

Kjo nënkupton që përdoruesit e telefonave do të mund të ngarkojnë dhe shkarkojnë video e foto shumë më shpejtë si dhe të zhvillojnë lojëra me grafikë më të mirë dhe shpejtësi më të madhe, pa vonesa, në celularët e tyre.

Por, 5G, një teknologji e cilësuar tashmë si kineze, nuk u mirëprit nga pjesa tjetër e botës. Në fillim, qeveria belge e ndaloi një test të tillë, për shkak të shqetësimeve rreth rrezatimit.

Edhe në Britani të Madhe, përfaqësues të Parlamentit paralajmëruan njerëzit për siç thuhej, “pasojat e paqëllimshme” të kalimit në 5G. Madje, kishte konspiracione, që më pas dolën të jenë lajme të rreme, se ishte pikërisht 5G ajo që po i infektonte njerëzit me Coronavirusin e ri.

Howard Jones, i cil është në krye të komunikimeve të teknologjisë në ofruesin e rrjetit mobil EE në këtët vend ka thënë se, “gjatësitë valore që i përdor dhe do t’i përdor 5G-ja janë të gjitha plotësisht të sigurta dhe kanë qenë në hulumtime dhe testime për dekada të tëra”.

“Është çorientuese të thuash se është një teknologji e re dhe për këtë arsye nuk është testuar”, kishte thënë ai, duke nënvizuar se “aktualisht ekziston një terror i madh për rrjetin telefonik”.

5G është e ndërtuar për një botë ku miliarda pajisje do të jenë të varura nga një lidhje e vazhdueshme me internetin.

Telefonat e parë mobil me rrjetin 5G kanë filluar në Evropë që në muajin shtator të vitit të kaluar. Në shumë vende, infrastrukturat e para të rrjetit tashmë kanë përfunduar.

Komisioni Evropian e ka përshkruar si, “një nga blloqet ndërtuese më kritike për ekonominë dixhitale dhe shoqërinë për dekadën e ardhshme”.

“Shpejtësia e 5G-së dhe lidhja latente e ulët, e cila i lejon pajisjet të përpunojnë një vëllim shumë më të lartë të dhënash me një vonesë minimale, do të nxisë inteligjencën artificiale”, ka thënë Komisioni.

Me kalimin e kohës, i gjithë aktiviteti ekonomik do të ndikohet nga strukturat e reja të 5G-së duke përshpejtuar transformimin dixhital të kompanive dhe për rrjedhojë, revolucionin e katërt industrial.

Industria automobilistike, transporti si dhe rrjetet e infrastrukturës dhe shëndetësia, janë ndër sektorët që do të transformohen prej rrjetit 5G.

Kamionë dhe makina pa shoferë, ndërtesa dhe qytete “smart” si dhe ndërhyrje më të shpejta mjekësore në zonat rurale janë disa prej inovacioneve falë rrjetit 5G.

Ndryshe nga Bashkimi Evropian ku ka hamendje, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një qëndrim të prerë.

SHBA-ja e ka vendosur kompaninë kineze Huawei në listën e zezë tregtare. Kjo lëvizje erdhi pas propozimit të Huawei për të futur në treg rrjetin 5G. Sipas Washingtonit, ky rrjet do të cenonte sigurinë kombëtare fakt ky që është hedhur poshtë edhe nga përfaqësues të lartë të kompanisë kineze, të cilët ndër të tjera janë shprehur se kjo risi është krejtësisht e pavarur nga qeveria kineze.