Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Gjykata Kushtetuese shtyn deri më 30 qershor vendimin për pezullimin e Ligjit të Pagave

Gjykata Kushtetuese e ka shtyrë vendimin për masën e përkohshme për Ligjin e Pagave deri më 30 qershor.

Në arsyetimin e Kushtetueses thuhet se, janë pranuar një vëllim i konsiderueshëm i dokumenteve dhe komenteve të dorëzuara nga palë të ndryshme të interesuara për Ligjin.

“Gjykata, pa paragjykim ndaj meritave të kërkesës dhe të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 30 mars 2020, vendosi njëzëri, që: I. TA VAZHDOJË masën e përkohshme të vendosur me Vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 219/19, të datës të 12 dhjetor 2019, deri më 30 qershor 2020; dhe II. TA VAZHDOJË PEZULLIMIN e zbatimin në tërësi të Ligjit 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ligji për Paga ishte miratuar në muajin shkurt të vitin 2019, por ishte dërguar në Kushtetuese nga Avokati i Popullit për shkak të ankesave të sindikatave.

Avokati i Popullit ishte ankuar pasi ka pranuar gjithsej 35 ankesa individuale nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe pasi ka vlerësuar se, “është në interes të ankuesve, por edhe të publikut, që Gjykata të vlerësojë nëse Ligji i kontestuar prek interesat legjitime të këtyre ankuesve”. /Gazeta Ekonomia/