Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Hajdari: Heqja e tarifës 100 për qind ndaj lëndës së parë ishte e domosdoshme

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka thënë se ndikimi i tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të boshnjake, nuk ka qenë ashtu siç është pritur.

Në një konferencë për media, Hajdari tha se edhe pse disa biznese kishin arritur të gjejnë lëndët e para nga shtetet tjera, bizneseve iu ka kushtuar më shtrenjtë sigurimi i saj.

“Ne të gjithë e kemi përkrahur më herët këtë tarifë, por realiteti është ndryshe. Ndikimi i saj në Kosovë nuk ka qenë siç është pritur. Ndryshimet në zvogëlimin e importit tregojnë qartë për efektin e tarifës. Qeveria dëshmon se është e përkushtuar në raportet me aleatët ndërkombëtarë. Heqja e taksës nga lënda e parë për bizneset vendore ishte e domosdoshme, për sektorin ushqimor dhe ndërtimor.Edhe pse disa biznese kishin arritur të gjejnë lëndët e para nga shtetet tjera, bizneseve iu ka kushtuar më shtrenjtë sigurimi i saj”, tha ajo.

Ajo ka shtuar se ishte e domosdoshme heqja e tarifës për lëndën e parë, sidomos për sektorin e ushqimit dhe ndërtimtarisë

Gjithashtu, Hajdari thotë se një pjesë e konsiderueshme e importeve të Serbisë ka ardhur përmes ekonomisë joformale ose përmes Maqedonisë së Veriut.

“Ne kemi pasur një grup punues me të cilët kemi punuar për t’i identifikuar barrierat që i kemi me Serbinë, dhe ato i kemi mbledhur në një dokument”, ka thënë ajo.

Sipas saj, qeveria ka vepruar duke treguar vullnet dhe përkushtim, derisa shton se presin reflektim edhe nga pala tjetër.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.