Hyn në fuqi marrëveshja për nxitje të investimeve mes SHBA-së dhe Kosovës
Korporata amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), njofton se ka hyrë në fuqi marrëveshja për nxitjen e investimeve që ka arritur me Kosovën.
Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, “i mundëson DFC-së që të vendos gamën e plotë të produkteve financiare në Kosovë”, tha DFC përmes një postimi në Twitter.
Më 31 dhjetor, 2020, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett nënshkruan marrëveshjen për nxitjen e investimeve, e cila mundëson vënien në dispozicion të mbështetjes financiare të SHBA-së, veçanërisht në sektorin privat të Kosovës.
DFC’s new Investment Incentive Agreement has entered into force, enabling DFC to deploy its full range of financial products in #Kosovo. 🇽🇰🎉
— DFCgov (@DFCgov) February 4, 2021
Kjo marrëveshje do t’i mundësojë Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar, që të ofrojë gamën e saj të plotë financiare, që përfshin financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante në ndihmën teknike.
Zëvendësshefi i DFC-së, njëherësh drejtori menaxhues për Ballkanin Perëndimor, John Jovanoviq kishte deklaruar se DFC-ja sheh “potencial të madh për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovës”.