Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Instituti GAP: Institucionet nuk kanë qenë transparente në ndarjen e mjeteve për rimëkëmbjen ekonomike

Instituti për Studime të Avancuara GAP ka publikuar raportin mbi transparencën dhe kriteret e përdorura gjatë zbatimit të masave në kuadër të Programit dhe Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Sipas një njoftimi për media, thuhet se gjetjet e këtij raporti tregojnë se institucionet relevante për zbatim të këtyre masave nuk kanë qenë transparente gjatë shpërndarjes së mjeteve, ku për shumë masa nuk dihen përfituesit, ndërsa në disa tjera nuk dihet shuma e ndarë.

Po ashtu, dizajnimi i kritereve për zbatim të këtyre masave ishte i tillë që në shumicën e tyre nuk ishte futur si kriter ndikimi nga pandemia për të përfituar nga ndihma financiare.

“Nga subvencionimi i pagave në sektorin privat prej 60 milionë euro, bizneset kanë përfituar në mënyrë proporcionale, ndonëse disa sektorë ekonomikë, sikurse ai i informimit, shëndetësisë dhe industrisë përpunuese, kishin pasur rritje reale deri në 30 për qind gjatë vitit 2020. Për disa nga masat tjera, institucionet implementuese kanë zgjedhur në mënyrë arbitrare, pa prezantuar ndonjë analizë, që të alokojnë të gjithë fondin e masës për vetëm një grup të qytetarëve apo bizneseve. Po ashtu, përmes Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike janë liruar nga renta minerare për pesë muaj të gjithë operatorët në këtë sektor, ndonëse të dhënat nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, të shprehura përmes inkasimit të të hyrave nga renta minerare, tregojnë për mos rënie të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020 në këtë sektor”, thuhet në njoftim.

Raporti i GAP-it thekson se Qeveria kishte vendosur edhe për subvencionim të tarifës së energjisë elektrike të prodhuar nga Burimet e Ripërtërishme të Energjisë për tre muaj për të gjithë qytetarët dhe bizneset.

“Kjo përkundër që një numër i madh i qytetarëve kanë punuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, sikurse mbi 80 mijë punonjës në sektorin publik, një pjesë e madhe e shoqërisë civile, sektorit privat etj. Raporti rekomandon që në mënyrë që ndikimi i ndihmës së shpërndarë të jetë më i madh, shpërndarja e mjeteve duhet të jetë transparente dhe të orientohet vetëm tek subjektet të cilat kanë nevojë”, përfundon njoftimi.