Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Ish-ministri Bislimi tregon arsyet se pse nuk duhet të preken kursimet e Fondit Pensional

Ish-ministri i Financave dhe Transferëve në Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti ka shpalosur disa nga arsyet se pse nuk duhet të preken kursimet e qytetarëve nga Fondi Pensional.

Bislimi më anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se futja e duarve në mjetet e Trustit është një mekanizëm i paligjshëm, vështirë i menaxhueshëm dhe me pasoja afatgjate për shëndetin e Fondit.

“Tërheqja e mjeteve nga Trusti me kaq lehtësi dërgon një mesazh të keq tek të gjithë ne që brengosemi për sigurinë e kursimeve tona individuale. Në një kontekst të tillë edhe pavarësia menaxhuese e Trustit ndihet e atakuar, e kjo pastaj shumë lehtë mund të përkthehet në performancë nën optimale në plasimin e mjeteve të Fondit. Rezultati final do të ishte ulja e përfitimeve të secilit prej nesh në momentin e pensionimit, që nënkupton që papërgjegjësia momentale e qeverisë mund të prodhojë dëme afatgjata për secilin pensionist, përfshirë këtu edhe ata që vendosin të mos e shfrytëzojnë këtë mundësi tani”, thotë Bislimi në njërën nga arsyetimet e tij, përcjell Telegrafi.

Qeveria aktuale e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, ka paraparë të mobilizoj mbi 1 miliard euro për dy vite, duke themeluar Fondin për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19.

Ku, në kuadër pakos për financimin e masave, pritet që të përdoren 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontributpaguesit nga Fondi i Kursimeve Pensionale.