Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Kombet e Bashkuara: Pandemia COVID-19 ka shtuar pabarazinë ekonomike në botë, nevojitet një Kontratë e Re Sociale

Lufta kundër pandemisë COVID-19, ringritja e ekonomisë dhe klima janë tre prioritetet e vitit 2021, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkon një Kontratë të Re Sociale.

“Puna e parë që duhet bërë sivjet është luftimi i COVID-19. Vaksina është prova e parë morale që kemi përpara”, thotë Guterres kur flet për prioritetet në punën gjatë këtij viti të organizatës që ai drejton.

Ai tregon se vaksinat kanë mbërritur në disa vende, por nuk kanë arritur ende në vendet e varfra.

“Shkenca ka pasur sukses, por solidariteti jo”, thotë shefi i OKB-së.

Vitin që kaloi bota humbi dy milionë persona. Qeveritë kanë përgjegjësi për mbrojtjen e popullsisë së tyre, por COVID-19 nuk mund të luftohet vetëm në një vend. Studimet kanë treguar se vaksina mund t’i kushtojë ekonomisë së botës 9.2 trillionë dollarë.

Pasi numëron hapat që duhen ndjekur për të luftuar pandemisë, Guterres thotë se, “bota nuk mund të shpëtojë nga virusi nëse ekonomia lufton për ekzistencë”, duke kërkuar fillimin e një programi të qëndrueshëm shpëtimi.

Vendet e pasura janë duke zbatuar programe shpëtimi me vlerë triliona dollarë, tregon shefi i OKB-së, kurse vendet e varfra kanë qenë në gjendje të shpenzojnë vetëm 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vend.

Guterres kërkon lehtësimin e borxheve për vendet në zhvillim dhe ato me të ardhura të mesme.

Luftimi i pandemisë COVID-19, ringritja ekonomike dhe klima janë prioritetet kryesore në vitin që sapo ka filluar, të cilin Guterres e quan kritik për klimën dhe biodiversitetin.

“Ka ardhur koha që karbonit t’i vendoset çmimi që ka”, thotë Guterres.

Humbjet ekonomike vazhdojnë të rriten, në një kohë kur numri i vendeve të punës ka rënë me 500 milionë vende pune. Pabarazia vazhdon të rritet, varfëria po arrin ekstremet, biodiversiteti po bie. Dhe sikur të gjitha këto të mos mjaftonin tensionet gjeopolitike janë duke penguar përpjekjet kolektive për të vendosur paqen. Nevojat për ndihma humanitare janë në rritje, rreziku nga armët atomike dhe kimike është në rritje, të drejtat e njeriut po zbehen, gjuha e urrejtjes është në rritje. Më keq nuk bëhet. Me një fjalë 2020 solli shumë tragjedi dhe vuajtje, 2021 duhet të jetë viti i kthimit të botës në rrugën e duhur.

Shefi i OKB-së kërkon të luftohet pandemia e varfërisë dhe pabarazisë.

“Më shumë se 70 për qind e popullsisë së botës është duke jetuar me rritjen e pabarazisë së pasurisë” thotë ai duke shpjeguar se shanset e njerëzve në botë varen nga gjinia, raca, baza familjare dhe etnike, si dhe faktorë të tjerë.

“Pandemia COVID-19 i ka bërë gjërat më keq”, thotë Guterres, i cili kërkon Kontratë të Re Sociale. /Deutsche Welle/