Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Kosova lehtëson masat e izolimit – hapen kafiteritë, qendrat tregtare, kufijtë dhe çerdhet

Më 1 qershor në Kosovë do të hyjë në fuqi faza e tretë e lehtësimit të masave që janë vendosur për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se që nga dita e hënë, do të hapen kufijtë tokësorë të Kosovës.

“Shfuqizohet vendimi për mbylljen e kufijve të Kosovës, por të gjithë personat obligohen t’iu nënshtrohen kontrollave mjekësore në kufi dhe t’i zbatojnë masat kundër COVID-19”, tha Kurti.

Në kuadër të lehtësimit të masave, qeveria në detyrë ka marrë vendim që të lejojë rihapjen e bareve, restoranteve, qendrave tregtare dhe çerdheve.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se vendimet janë marrë duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili së ka vlerësuar se “ekziston një rrezik i reduktuar nga pandemia”.

Deri më tani autoritetet e Kosovës kanë raportuar për 1,070 persona të infektuar me COVID-19, ku prej tyre, 30 persona kanë vdekur.

Rastet e para me Coronavirus në Kosovë janë shfaqur më 13 mars.

Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik dhe kanë vendosur disa masa kufizuese, përfshirë mbylljen e shkolllave dhe të bizneseve, por të cilat kanë nisur të hiqen gradualisht nga data 4 maj.

Faza e dytë e masave të lehtësimit kishte hyrë në fuqi më 28 maj.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë thënë se derisa kufizimet po hiqen gradualisht, masat mbrojtëse si maskat, ruajtja e distancës dhe kujdesi i shtuar i higjienës, duhet të praktikohen nga qytetarët.