Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Kosova po hynë në tre mujorin më kritik të vitit në aspektin ekonomik

Gjatë periudhës gjashtë mujore, Kosova pati më pak të hyra në Dogana për 77 milionë euro në krahasim me vitin 2019, kurse 23 milionë euro më pak nga Administrata Tatimore, nga dy kanalet kryesore të mbushjesë së buxhetit, pra kemi 100 milionë euro më pak.

Pra, Kosova po hynë në tre mujorin më kritik të vitit në aspektin ekonomik si pasojë e pandemisë COVID-19.

Gjithashtu “industria” tjetër e Kosovës, diaspora ka shënuar rritje në dërgesat e tyre zyrtare për 28 milionë euro në total me mbi 430 milionë euro dërgesa për gjashtë muaj, por defekti kryesor është mosardhja e tyre dhe ulja e nivelit të shpenzimit në nivel kombëtar.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore për vitin 2019, në vendin tonë, mërgata gjatë qëndrimit të tyre tre mujor shpenzojnë rreth 1 miliard euro. Këtë më së miri e shpjegojnë bizneset, të cilat pohojnë se janë duke kaluar vitin më të vështirë që nga paslufta.

Një mik i imi që ka një biznes të mesëm me shitjen e qeramikës, pohon se mosardhja e mërgatës e ka vendosur të mendojë për mbylljen e biznesit se nuk ka ofertë në treg, ato 1 miliard nuk janë këtë vit, kurse Qeveria është strukur pa ide dhe duke bërë shkurtime buxhetore për ndihma sociale, edhe atë pak buxhet kombëtar që kemi.

Tremujori i tretë pritet të jetë më i zbehtë dhe shkatërrues nëse nuk do të ketë ofertë, apo qarkullimi parasë së gatshme.

Qeveria është duke gabuar me paratë e Fondit të Kursimeve Pensionale (Trusti), ku 320 mijë qytetar pritet të marrin më pak se 20 euro ku efekti i tyre do të jetë më pak se zero. Institucionet duhet të investojnë këto mjete në bizneset vendore, por jo si ndihma sociale, por si paketa nxitëse ekonomike.

Partneri kryesor i Qeverisë është partia e djathtë. Ata duhet të besojnë në biznesin privat dhe nxitjen e ndërmarrësisë duke u ofruar paketa stimuluese financiare të perballueshme për biznesin.

Gjithashtu, Qeveria duhet të ketë bashkëpunim më të mirë me bankat komerciale në nxitjen e dhënies së kredive të buta për bizneset e mesme dhe të mëdha për mos dështim dhe mos bankrotim, mos të harrojmë kemi depozitat më të larta të qytetarëve në banka komerciale me mbi 4 miliardë euro, një rritje edhe në pandeminë COVID-19, kurse bankat gjatë kësaj periudhe e kan ulur përqindjen e dhënies së kredive në minimum.

Në fund, Qeveria duhet kursimet nga privatizimi t’i vendosë në treg për biznesin privat për nxitjen e ngritjes ekonomike në vend, pra pas këtij gjashtë mujori të situatës pritet veprimi i saj, ku mosveprimi i tyre do të ngrisë varfërinë e skajshme dhe emigrimin në masë.

Autor: Kapllan Halimi