Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Kuvendi i Kosovës nuk ka kuorum për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

Ka dështuar të zhvillohet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se seanca shtyhet për shkak të mungesës së kuorumit.

Në sallë ishin vetëm deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit deri në javën tjetër dhe ka ftuar edhe liderët e institucioneve dhe partive politike që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Ky hap nuk lidhet me zhvillimet që i përkasin drejtësisë, por me nevojën tonë për sensibilizim, sepse ne konsiderojmë se para se të sillemi me agjendën tonë të zakonshme, siç rëndom ndodh, neve na duhet reflektim dhe unitet përballë këtyre zhvillimeve të pazakonshme”, ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Dhomat e Specializuara në Hagë, më 5 nëntor, kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në Kuvendin e Kosovës nuk kanë qenë të pranishëm as deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë kohës kur është caktuar mbajtja e seancës, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka bërë paraqitjen e parë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. /REL/