Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Marrëveshja për investime SHBA – Kosovë pritet të krijoj vende pune

Marrëveshja për nxitjen e investimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 3 shkurt, do të mundësojë ndërtimin e autostradës Prishtinë – Merdare dhe linjës hekurudhore Beograd – Prishtinë.

Kështu thotë ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, duke shtuar se do të krijohen edhe vende të reja të punës.

Investimet amerikane burojnë nga takimi për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku u nënshkruan dy dokumente, më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Dokumentet parashihnin investime të Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) dhe organizatave tjera financiare amerikane në këto dy vende. Kurse, më 31 dhjetor të vitit të kaluar, kjo korporatë, për të sjellë gamën financiare në Kosovë, ka nënshkruar një marrëveshje me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe kryeministrin detyrë, Avdullah Hoti.

DFC më 4 shkurt, ka njoftuar se ka hyrë në fuqi marrëveshja për nxitjen e investimeve që ka arritur me Kosovën.

Abrashi thotë se përveç ndërtimit të autostradës dhe hekurudhës, hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, ka rëndësi të veçantë sepse do të përkrahet sektori privat, përmes produkteve financiare.

“Mundësitë për financim të bizneseve e projekteve përmes qasjes në fondet e DFC-së, do të jenë një nxitje e mundësi e shkëlqyer për ndërmarrësit kosovarë, që do të ndikojë në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit dhe në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Abrashi.

Autostrada Prishtinë – Merdare, e gjatë 27 kilometra, e njohur ndryshe edhe si “Autostrada e Paqes” është një nga projektet e përfshira në Marrëveshjen e Washingtonit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kushton përafërsisht 200 milionë euro. Kurse, segmenti hekurudhor Prishtinë – Merdare, me gjatësi prej 45 kilometrash arrin në 150 milionë euro.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka tha se nisja e zbatimit të marrëveshjes së DFC-së, do të ndihmojë sektorin privat që të ketë qasje në financa.

“Këto janë produkte financiare, janë instrumente financiare, ngjashëm sikur çdo institucion tjetër financiar, të cilat u jepen bizneseve, në këtë rast u jepen bizneseve që të investojnë në Kosovë ose t’i zgjerojnë investimet e tyre në Kosovë dhe rajon”, tha Zeka.

Ai theksoi se kjo marrëveshje, efekte pozitive do të ketë edhe tek investitorët e huaj, të cilët më lehtë do të vendosin që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.

“Pashmangshëm se po, pasi ngjashëm sikur me institucionet tjera financiare, siç është rasti më Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, investitorët mund gëzojnë qasje alternative në financa”, theksoi ai.

Kjo marrëveshje, shtoi Zeka, përfshin edhe financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante në ndihmën teknike.

Më 31 dhjetor, zëvendësshefi i DFC-së, njëherësh drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor, John Jovanoviq, deklaroi se, “DFC-ja sheh potencial të madh për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovës”.

Si pjesë e Marrëveshjes së Washingtonit, DFC-ja ka hapur zyrën rajonale në Beograd.