Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Ministri gjerman i Ekonomisë paralajmëron ‘pasoja të rënda’ për gazsjellësin rus ‘Nord Stream II’

Ministri gjerman për Çështje Ekonomike, Robert Habeck ka thënë se nëse Rusia e sulmon Ukrainën, atëherë gazsjellësi rus “Nord Stream II” mund të përballet me “pasoja të rënda”.

Sipas Habeckut, çdo veprim i ri ushtarak nuk mund të kalojë pa pasoja.

“Çdo veprim i ri ushtarak nuk mund të kalojë pa pasoja të rënda. Çështja e vënies në funksion [gazsjellësi ‘Nord Stream II’] mbetet e hapur dhe duhet të vendoset sipas ligjit evropian dhe gjerman”, tha Habeck në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke iu referuar grumbullimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.

Po ashtu, ai tha se një pushtim i Rusisë do ta shtynte Berlinin që ta rimendonte bashkëpunimin me Moskën sa i përket gazsjellësit.

Gazsjellësi rus thuhet se do të dyfishojë furnizimet me gaz natyror nga Rusia në Gjermani, por, ky projekt është zvarritur për vite me radhë dhe është kritikuar nga aleatët e Gjermanisë në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe Poloninë.

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kundërshtojnë këtë gazsjellës pasi argumentojnë se do të vinte në rrezik sigurinë energjetike të Evropës duke rritur varshmërinë nga gazi rus, ku do t’ia pamundësonte Ukrainës që të fitonte nga taksat për transitin e gazit.

Qeveria e re gjermane veçse ka kërcënuar se do ta bllokojë funksionalizimin e gazsjellësit nëse Rusia e pushton Ukrainën.

“Në rast se kemi përshkallëzime të mëtejme, ky gazsjellës nuk do të funksionalizohet”, tha deklaruar ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Projekti “Nord Stream II” është duke pritur miratimin nga rregullatorët gjermanë.

Kompania që kontrollon këtë gazsjellës ka dorëzuar dokumentet për të rinisur procesin e certifikimit. Por, edhe nëse miratohet nga rregullatorët gjermanë, funksionalizimi i gazsjellësit duhet të miratohet edhe nga Komisioni Evropian.