Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Ministria e Ekonomisë jep detaje për aktivitetet biznesore që nuk duhet të punojnë gjatë pandemisë së Coronavirusit

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjik (MEPTINIS) njofton se ka nxjerr urdhëresën për mbarëvajtjen e bizneseve gjatë periudhës së pandemisë së Coronavirusit.

MEPTINIS në këtë urdhëresë tregon se cilat janë disa nga bizneset që nuk duhet të punojnë gjatë kësaj periudhe.

“Mbyllen qendrat tregtare (që operojnë në mjedise të hapura dhe të mbyllura, përfshirë këtu edhe qarshitë), përveç barnatoreve (mjekësore e bujqësore) dhe shitoreve ushqimore në këto qendra tregtare”, thuhet në njërën nga pikat e vendimit, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, kjo ministri për ato biznese që duhet të punojnë, urdhëron që të merren masa higjienike.

“Çdo operator ekonomik që lejohet të veprojë sipas kësaj urdhërese duhet të marrë këto masa higjienike e parandaluese”, njofton MEPTINIS.

Njoftimi i plotë i MEPTINIS

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), në mbështetje të neneve 10, 11 dhe 17 të Ligjit 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, nenit 8 paragrafi 1.4 dhe shtojcës 8 pikat 20, 30 e 31 të Rregullo­res (QRK) 05/2020 për Fushat e Përgje­gjësisë Ad­mi­nis­trative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, si dhe vendimeve 01/09 të 13 marsit 2020 dhe 1/11 te 15 marsit 2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me masat ndaj pandemisë COVID-19 dhe emergjencës së ndërlidhur të shëndetit publik, bazuar tutje në Ligjin 2004/18 për Tregti të Brendshme, i ndryshuar, si dhe në urdhëresat e lëshuara nga MEPTINIS 01/01 e 12 marsit 2020, 01/02 e 17 marsit 2020, 01/03 e 17 marsit 2020, e plotësuar me urdhëresën 01/04 të 20 marsit 2020; dhe duke pasur parasysh kërkesat e Planit Kombëtar të Reagimit dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nxjerr këtë:
URDHËRESË PËR MBARËVAJTJEN E VEPRIMTARIVE EKONOMIKE GJATË EMERGJENCËS SE SHËNDETIT PUBLIK (23-03-2020)

1. URDHËROHEN TË GJITHË OPERATORËT EKONOMIKË:

1.1. të zbatojnë vendimet e Qeverisë së Re­pu­blikës së Kosovës nr. 01/09 të 13 marsit 2020 dhe nr. 1/11 të 15 marsit 2020, lidhur me masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj pandemisë COVID-19 dhe emergjencës së ndërlidhur të shëndetit publik;
1.2. të veprojnë në përputhje me këtë urdhëresë, me urdhëresat nr. 01/01 të 12 marsit 2020, nr. 01/02 të 17 marsit 2020, nr. 01/03 të 17 marsit 2020, të plotësuar dhe ndryshuar me urdhëresën nr. 01/04 të 20 marsit 2020; dhe
1.3. me vendime dhe urdhëresa të tjera që mund të nxjerrin Qeveria dhe Ministria lidhur me emergjencën e shëndetit publik.

2. Çdo operator ekonomik që lejohet te veprojë sipas kësaj urdhërese duhet të marrë këto masa higjienike e parandaluese:
2.1. të dezinfektojë dhe të ajrosë rregullisht lokalin dhe hapësirën e punës;
2.2. të pajisë punëtorët me mjete mbrojtëse personale, sipas udhëzimeve të fun­dit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe Institutit Kombëtar për Shën­de­tësi Publike (IKSHP);
2.3. të marrë masa për distancën shoqërore dhe shmangien e kontaktit, edhe për pu­no­njësit edhe për klientët, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shë­n­detësisë (MSH) dhe Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike (IKSHP),
2.4. të shfrytëzojë sa më shumë kanalet elektronike për të ushtruar vep­rim­ta­rinë, duke për­fshirë shitjen e mallrave dhe shërbimeve, si dhe pagesat,[1] dhe
2.5. të marrë masat e tjera të nevojshme për të zbatuar vendimet e Qeverisë lidhur me emergjencën shëndetësore.

3. Mbyllen qendrat tregtare (që operojnë në mjedise të hapura dhe të mby­llura, përfshirë këtu edhe qarshitë[2]), për­veç barnatoreve (mjekësore e bujqësore) dhe shitoreve ushqimore në këto qen­d­ra tregtare.

4. Mbyllet tregtia me pakicë e tekstilit dhe produkteve të ngjashme, hekrarive dhe gjësendeve metalike e të ngjashme, si dhe libraritë. Këndet shitëse të këtyre produkteve në markete të mëdha duhet të demobilizohen.

5. Mbyllen shërbimet e parukerisë, trajtime estetike, palestra, e të ngjashme sipas listës me kode “NACE”[3] (siç janë të regjistruara në ARBK), të bashkëngjitur në këtë Urdhëresë.

6. Mbyllen edhe veprimtaritë tjera tregtare/shërbyese si në listën me kode “NACE” (siç janë të regjistruara në ARBK), të bashkëngjitur në këtë Urdhëresë.

7. Mbyllen veprimtaritë gastronomike: baret, pabet, kafiteritë, gjellëtoret, qebap­to­ret, restorantet, e veprimtari tjera për shërbim të pijeve e ushqimeve, për shërbim të klientëve vizitues (walk-in clients). Këta operatorë u nënshtrohen kushteve si vijon:
7.1. Duhet t’i demobilizojnë tavolinat e ka­rri­get që përdoren për shërbim bren­da lokaleve të tyre dhe duhet ti mbyllin dyert për klientët vizitues.
7.2. Nuk u lejohet shërbimi marrje me vete (take-away)[4].
7.3. Por u lejohet që produktet/shërbimet t’i shpër­ndajnë me porosi (delivery).
7.4. Brenda lokaleve të tyre nuk lejohet të qëndrojë asnjë person, përveç per­so­ne­lit. Ambientet, personeli dhe mjetet e transportit të angazhuara për shpër­ndarjen e porosive tek klientët, duhet të trajtohen me masa ri­go­ro­ze të hi­gji­enës, sipas pikës 2. Gjatë përgatitjes e dorëzimit të produkteve, duhet me rigorozitet të respektohen masat e distancës shoqërore e shmangies së kontaktit.

8. Shitoret, marketet ushqimore, furrat e bukës, barnatoret mjekësore dhe bujqë­sore, pikat e karburantit, autolarjet, shërbimet komunale e financiare e vep­rimtari të tjera që lejohen të punojnë, sipas listës me kode “NACE” (siç janë të regjistruara në ARBK), u nënshtrohen kushteve si vijon:
8.1. Duhet t’i mbyllin kënd-kafiteritë e shërbimin e pijeve e ushqimeve me marrje me vete (take-away). Largohen edhe makinat vetë shërbyese (Vending ma­chi­ne), por lejohet shpërndarja e produkteve/shërbimeve me porosi (delivery).
8.2. Tek karburantet e auto-larjet, lejohet të punojë marketi ushqimor dhe dy­qa­ni i lubrifikantëve e aksesorëve, por mbyllet veprimtaria gastronomike (pije e ushqime) në kuadër të tyre e shërbimi me marrje me vete (Take-away). Largohen edhe makinat vetëshërbyese (Vending machine). Por, lejohet shpërndarja e pro­duk­te­ve/shërbimeve me porosi (delivery).

9. Ndalohet shërbimi i ushqimeve e pijeve brenda menzave të punëtorëve. Punë­dhë­nësi, duhet të siguroj shpërndarje të ushqimeve të përshtatshme për t’u kon­sumuar në vend punishte/hapësirën e punës.

10. Ndalohen të gjitha operacionet e gastronomisë në hotele. My­sa­fi­rët mund të shër­behen me ushqim të përshtatshëm për konsumim në dhomë. Hoteli duhet të sigurojë që ka të dhë­nat e sakta të my­sa­fi­rë­ve, duke përfshirë shtetin prej nga kanë ardhur. Hoteli du­het të ndërmarrë masa në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Shën­de­tësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

11. Operatorët e posaçëm që merren me shërbime komunale, financiare, elektronike dhe postare mund të ofrojnë shërbime me orar dhe staf të organizuar në masë të arsyeshme, sipas masave në fuqi për emergjencën e shëndetit publik (të cekura në pikën 1).

12. Ndalohet shpërndarja e materialeve promocionale të shtypura, siç janë fletush­kat, kuponat, katalogët e të tjera.

13. Ndalohet shitja ambulantive/mobile e ushqimeve e pijeve dhe vendosja e ma­ki­na­ve vetëshërbyese (vending-machine) në vende publike e brenda ambienteve të operatorëve të ndryshëm ekonomikë[5].

14. Prodhuesit, përpunuesit, ndërtimtarët[6] dhe veprimtaritë e tjera tregtare dhe shërbyese (të papërmendura ne këtë urdhëresë) mund të ushtrojnë veprimtaritë e tyre sipas listës me kode NACE, duke marrë ma­sat nga pikat 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.5.

15. Veprimtaritë ekonomike do t’i nënshtrohen kufizimeve në kohë dhe shtrirje si­pas vendimeve të ardhshme të Qeverisë me masat shtesë, në lidhje me emer­gjen­cën e shëndetit publike.

16. Detyrohen inspektorët e tregut dhe inspektorët e punës në tërë Republikën e Ko­so­vës të shqyrtojnë me përparësi rastet që lidhen me zba­ti­min e ven­dimeve dhe urdhëresave të cekura në pikën 1.

17. Plotësohet dhe ndryshohet Urdhëresa nr. 01/04 e 20 marsit 2020.

18. Kjo urdhëresë hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.