Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Miratohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i hapet rrugë tërheqjes së 10-përqindëshit nga Trusti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar sot në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Të mërkurën, Komisioni për Buxhet dhe Transfere kishte votuar raportin e Projektligjit me katër amdamentet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

Njëra nga këto amandamente është rimbursimi nga Qeveria e Kosovës së 10-përqindëshit të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional, për të gjithë ata që kanë më pak se 10 mijë euro.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia.

Ky Projektligj kishte dështuar të votohej për të nëntën herë, që nga muaji gusht, kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Pas votimit në lexim të dytë të këtij Projektligji, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek presidenti për shpallje. Ndërkaq, presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Ky ligj do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021, përjashtimisht disa dispozitave që do të jenë të vlefshme deri në vitin 2028. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.