Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Miratohet në lexim të parë rishikimi i buxhetit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit 07/L-001 mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.

Ministria e Financave kërkon që Projektligji të procedohet sa më shpejt në komisione parlamentare në mënyrë që i njëjti të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar.

Ministria thotë se menjëherë pas miratimit të Projektligjit në leximin e dytë dhe hyrjes së tij në fuqi, do të krijohet mundësia ligjore për ekzekutimin e pagesave të mbetura për të gjithë përfituesit nga Pakoja Emergjente Fiskale, të cilët janë në pritje dhe të gjitha ndarjeve tjera buxhetore.

Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson të gjitha sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.

Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në Projektligjin për rishikim të buxhetit ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.

Me rishikimin e bërë të buxhetit janë moblizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh. /Gazeta Ekonomia/