Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Miratohet Plani Operacional për Pakon Emergjente Fiskale pas përhapjes së pandemisë së Coronavirusit

Ministria e Financave dhe Transfereve ka miratuar Planin Operacional për Pakon Emergjente Fiskale.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për medie, e cila ndër të tjera ka thënë se, sipas këtij vendimi obligohen të gjitha institucionet dhe njësitë përkatëse të propozojnë vendimet shtesë dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e Planit Operacional për Zbatimin e Pakos Fiskale Emergjente.

Ky vendim hyn në fuqi nga dita e sotme.

“Në mbështetje të nenit 8, paragrafi 1.4, të Rregullores 05/2020 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, të Vendimit pikës 2 të 01/19 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Financave dhe Transfereve, mori vendim për miratimin e Planit Operacional për Pakon Emergjente Fiskale, ku sipas këtij vendimi obligohen të gjitha institucionet dhe njësitë përkatëse të propozojnë vendimet shtesë dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e Planit Operacional për Zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale”, thuhet në njoftim.

Masa 1 – Është pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale për të gjithë përfituesit e skemave sociale për muajin prill dhe maj, masë kjo në vlerë prej 7,650,000 euro, përfshirë edhe pagesën e muajit mars.

Masa 2 – Është pagesa shtesë në vlerë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore në vlerë më të ultë se 100 euro, për muajin prill, maj dhe qershor, me kusht që të jenë përfitues vetëm të një skeme; si dhe rikthim në listat e përfituesve për përfituesit që për shkak të mos-paraqitjes apo mos-vlerësimit në periudhën janar-mars 2020, nuk u janë rinovuar të drejtat e tyre. Kjo masë është në vlerë deri në 13,000,000 euro.

Masa 3 – Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik.

Masa 4 – Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, me qëllim të sigurimit të likuiditetit të përkohshëm të tyre, me kthim deri më 31.12.2020, në vlerë deri në 20,000,000 euro.

Masa 5 – Sigurimi mbështetjes shtesë financiare për komunat e Republikës së Kosovës që janë ndikuar në përballje me pandeminë, në rast nevoje për shkak të zgjatjes eventuale të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në 10,000,000 euro.

Masa 6 – Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej 300 euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): stafi mjekësor (mjekët dhe infermierët), policët e Policisë së Kosovës, zyrtarët (gardianet) e Shërbimit Korrektues, zyrtarët (zjarrfikësit) e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, personeli (ushtarët) i FSK-së, punëtorët që punojnë në Karantinë – Qendra e Studentëve të Prishtinës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Punës, zyrtarët (inspektorët) e Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrtarët (doganierët) e Doganës së Kosovës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Tregut, zyrtarët (inspektorët) e inspektorateve përkatëse komunale, zyrtarët e Inspektorati të Mjekësisë së Punës, për muajin prill dhe maj deri në vlerë prej 15,000,000 euro.

Masa 7 – Pagesë shtesë në vlerë prej 100 euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve për muajin prill dhe maj, në vlerë deri në 3,000,000 euro.

Masa 8 – Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej 130 euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, për muajin prill, maj dhe qershor, në vlerë deri në 4,000,000 euro.

Masa 9 – Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, që janë goditur më rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në 2,000,000 euro.

Masa 10 – Sigurimi i likuiditetit financiar.

Masa 11 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej 5,000,000 euro.

Masa 12 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga situata e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej 5,000,000 euro.

Masa 13 – Mbështetje për eksportuesit në Republikën e Kosovës pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, vlerë deri në 10,000,000 euro.

Masa 14 – Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga 130 euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në 6,000,000 euro.

Masa 15 – Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej 130 euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga buxheti i Kosovës, për muajin prill, maj dhe qershor, në vlerë deri në tre 3,000,000 euro.

Vlera totale financiare e kësaj pakoje është 179.65 milionë euro.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje. /Gazeta Ekonomia/