Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Norvegjia pezullon shitjen e aseteve të Rolls-Royce për kompaninë ruse TMH Group për arsye sigurie

Norvegjia ka pezulluar shitjen e Rolls-Royce për një kompani të kontrolluar nga Rusia, duke marr për bazë se mund të ketë ndërhyrje të sigurisë.

Agjencia norvegjeze e Sigurisë (NSM) vlerëson se shitja e Bergen Engines do të bëhet për një kompani që kontrollohet nga TMH Group nga Rusia, përcjell Telegrafi.

Rolls-Royce britanik ka njoftuar se shitja e Bergen Engines është pjesë e planit që synon të ndihmojë prodhuesin e motorëve të mbijetojë nga pasojat e pandemisë COVID-19.

Me qendër në Bergen, kompania është një furnizues i marinës norvegjeze që është anëtare e Aleancës Veri-Atlantike (NATO).

“Ka një pasiguri të konsiderueshme në lidhje me interesat e sigurisë kombëtare dhe kjo pasiguri duhet të trajtohet. Ne nuk e dimë cilin përfundim do të nxjerrim”, tha ministrja norvegjeze e Drejtësisë, Monica Maeland.

TMH Group kishte thënë se do të bashkëpunonte me autoritetet norvegjeze lidhur me përfundimin e transaksionit.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm dhe i marrim seriozisht detyrimet tona. Kjo do të përfshijë ato detyrime që kanë të bëjnë me Bergen Engines, në lidhje me mbrojtjen e çdo teknologjie të kontrolluar, duke përfshirë edhe parandalimin e përdorimit të paautorizuar”, tha TMH në një deklaratë.

Në vitin 2019, Norvegjia prezantoi Ligjin e ri të Sigurisë që autorizon qeverinë për të vendosur kushte ose për të bllokuar blerjet e huaja kur interesi kombëtar është në rrezik.