Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Oda Ekonomike Amerikane: Diskursi përçarës politik ndikon në investimet e huaja

Stabiliteti politik është kyç për nxitjen e investimeve të brendshme dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me diskursin përplasës gjithnjë e në rritje ndërmjet akterëve politikë në Kosovë, në një kohë kur vendi duhet të demonstrojë stabilitet jo vetëm për të avancuar agjendën zhvillimore, por edhe për të menaxhuar situatën e krijuar pas shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Sipas OEAK-ut, ky moment është i nevojshëm për rritje dhe angazhim të gjithëmbarshëm për fuqizimin e shtetit të Kosovës.

“Akterët politikë e shoqërorë duhet të tregojnë maturi dhe koordinim. Prandaj, Oda Amerikane fton liderët institucionalë e politikë të Kosovës të përmbahen nga gjuha e përçarjes së skajshme, si dhe thirrjet denigruese dhe nxitjet për dhunë. Oda Amerikane rikujton se çfarëdo akti i dhunës, do të rëndonte më tej mbi imazhin edhe ashtu jo të mirë të vendit para investitorëve të huaj, aq shumë të nevojshëm për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Aktet e tilla jo vetëm që do të kthenin Kosovën mbrapa, por edhe do të kërkonin investim dhe përpjekje të reja për përmirësimin e perceptimit para investitorëve të huaj”, thuhet në reagimin e OEAK-ut.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane beson që institucionet e vendit duhet të shfaqin vullnet të fuqishëm dhe angazhim serioz për arritjen e një stabiliteti të përgjithshëm edhe në kontekst të brendshëm, por edhe në raport me shtetet fqinje, meqë raportet e mira ndërfqinjësore janë parakusht për integrimin ekonomik rajonal por edhe për avancimin e procesit integrues euro-atlantik.