Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

OECD: Dëmi ekonomik i shkaktuar nga pandemia COVID-19 ‘nuk do jetë aq i madh’ sa është parashikuar

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) është duke parashikuar se dëmi ekonomik botëror nga pandemia COVID-19 nuk do të jetë aq i madh sa është parashikuar, mirëpo rimëkëmbja ekonomike vitin e ardhshëm do të jetë më modeste se që është pritur.

Instituti ndërqeveritar me bazë në Paris, ka thënë më 16 shtator se pritet që rritja e bruto prodhimit të brendshëm do të tkurret për 4.5 për qind këtë vit – apo 6 për qind më pak rënie sesa ishte parashikuar tre muaj më parë.

Ekonomia botërore pritet të ketë rimëkëmbje ekonomike prej 5 për qind sipas kësaj organizate, ndonëse paraprakisht kishte parashikuar rritje prej 5.2 për qind.

“Rikthimi i aktivitetit biznesor pas lehtësimit të masave të izolimit ka humbur momentumin prej muajit qershor, kryesisht në ekonomitë e avancuara”, ka thënë OECD.

Në çerekun e dytë të vitit 2020, prodhimi botëror ka qenë 10 për qind më i ulët sesa në fund të vitit 2019, para se të shpërthente pandemia COVID-19.

Organizata këtë rënie e ka quajtur “shok të pashembullt të kohërave moderne”.

OECD ka thënë se parashikimet e reja tregojnë se asnjë vaksinë kundër COVID-19 nuk do të mund të jetë lehtësisht e qasshme deri në fund të vitit 2021.

Duke shikuar ekonomitë individuale, Kina pritet të jetë e vetmja ekonomi që do të zgjerohet më 2020, me rreth 1.8 për qind.

Shtetet e Bashkuara, që kanë ekonominë më të madhe në botë, do të përballen me tkurrje ekonomike prej 3.8 për qind, apo shumë më të vogël sesa vende tjera të zhvilluara.

Ekonomia gjermane pritet të tkurret për 5.4 për qind, në krahasim me 7.9 për qind në nivel të Eurozonës. /REL/