Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Pandemia COVID-19 kthen ekonominë e Shqipërisë dy vite pas

Pandemia COVID-19 e ka çuar ekonominë shqiptare pas në nivelin e dy viteve pas.

Sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Prodhimi i Brendshëm Bruto do të jetë 14 miliardë dollarë [12 miliardë euro] ose 1.24 miliard dollarë [1.05 miliard euro] më e ulët se në vitin 2018.

Për të arritur nivelin e vitit 2019, Shqipërisë i duhen edhe dy vjet, pasi sipas FMN-së humbjet që krijoi pandemia nuk do të rikuperohen para vitit 2022, ku PBB-ja e vendit projektohet të jetë 16.1 miliardë dollarë [13.7 miliardë euro].

Sipas parashikimeve të brendshme në kuadrin makroekonomik të Ministrisë së Financave, nivelin e ekonomik të pritshëm aktualisht të vitit 2023, Shqipëria do të arrinte në 2021 nëse kriza e COVID-19 nuk do të kishte ndodhur.

Në fillim të pandemisë, FMN parashikoi se humbjet do të rikuperoheshin gjatë vitit 2021, pasi ekonomia do të rritej me 8 për qind. Por ky projeksion ka ndryshuar me rishikimin e detajuar të ekonomisë Shqiptare gjatë misionit të fundit të FMN-së, ku është arritur në përfundimin se ekonomia e Shqipërisë do të rritet pak më shumë se 5 për qind në vitin 2021.

Sipas raportit të fundit të FMN-së, tkurrjen më të fortë në rajon pritet ta ketë Mali i Zi me 12 për qind, e ndjekur nga Kroacia me 9 për qind dhe më pas renditet Shqipëria në të njëjtat nivele me Kosovën me 7.5 për qind secila.

Të tre shtetet bregdetare, Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë një varësi të lartë nga turizmi, që ka qenë ndër sektorët më të goditur nga pandemia. Krizën pritet ta ndiejë më pak Serbia, që parashikohet të ketë një rënie prej 2.5 për qind. Maqedonia e Veriut do të tkurret me 5.4 për qind, kurse Bosnja e Hercegovina me 6.5 për qind.

Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në 2020 pritet të ulen me 425 dollarë ose me gati 8 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm.

Në terma nominalë, të ardhurat për frymë të çdo individi, me çmimet aktuale (në dollarë për frymë) pritet që në vitin 2020 të zbresin në 4,898 dollarë nga 5,323 dollarë një vit më parë.

Në total, sipas shifrave të FMN-së, vendi pritet të humbasë 1.24 miliardë dollarë këtë vit, shumë që është sa 8 për qind e të ardhurave vjetore në 2019-në.

Tendenca e rënies së të ardhurave për frymë po konstatohet në të gjithë botën, për shkak të pasojave që dha në ekonomitë globale karantina, me synim parandalimin e infeksionit të Covid-19 dhe pasigurive që ende po vazhdojnë, duke ngritur shumë pasiguri për të ardhmen. /Monitor/