Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Pandemia COVID-19 mund të shtyjë regjistrimin e popullsisë së Kosovës

Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, i paraparë të bëhet në vitin 2021, mund të shtyhet për një vit.

Sipas drejtorit të Statistikave Sociale dhe Popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ky proces mund të shtyhet për shkak të përhapjes së virusit COVID-19.

Kastrati për Radion Evropa e Lirë thotë se regjistrimi i popullsisë është dashur të fillojë në muajin prill 2021, është shtyrë për në muajin shtator.

Por, duket se edhe kjo datë do të ndërrohet dhe do të shtyhet për një vit.

“Ka disa shtete që kanë sinjalizuar si edhe në Kosovë, që për shkak të pandemisë dhe vështirësive tjera si sigurimi i buxhetit në kohë, kanë propozuar që regjistrimi të bëhet në vitin 2022. Ne përgatitemi për vitin 2021, por nëse ka sfida në terren, ndoshta regjistrimi do të shtyhet për vitin 2022”, thotë Kastrati.

Megjithatë kjo shtyrje sipas tij, nuk është ndonjë problem i madh, pasi që të dhënat e dala nga regjistrimi i popullsisë duhet të dorëzohen në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2023.

Në regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë, duhet të punësohen rreth 2,500-7,600 regjistrues, rreth 350-400 mbikëqyrës si dhe rreth 40-50 trajnues-instruktor.

Kostoja totale e regjistrimit llogaritet të jetë 12 milionë euro apo rreth 6.5 euro për person.

Sipas të dhënave zyrtare të ASK-së, rënie e numrit të popullsisë në Kosovë
Në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin.

Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2010-2018, u shënua në vitin 2015, kur nga vendi u larguan mbi 75 mijë qytetarë.

Ndërsa në vitin 2018, mbi 28 mijë persona vendosën të ikin nga vendi.

Kjo ka bërë që të bie numri i popullsisë. Një rënie e lehtë pritet të jetë edhe në regjistrimin e popullsisë nëse realizohet vitin e ardhshëm.

Avni Kastrati nga ASK-ja thotë se numri i popullsisë do të jetë i përafërt me regjistrimin e bërë në vitin 2011.

“Do të ketë një rënie të vogël sepse shtimi natyror nuk është sikur në vitet e mëparshme. Kemi shtim natyror pozitiv, diku rreth 20 mijë banorë në vit në dekadën e fundit, por numri i emigracionit është shumë më i madh se shtimi natyror, dhe kjo normalisht që ndikon në uljen e numrit të popullsisë dhe ne presim që shifrat të jenë të përafërta. Numri do të jetë përafërsisht sikurse regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, me një ulje pak më të vogël”, thotë Kastrati.

Nga regjistrimi i fundit i popullsisë i bërë në vitin 2011, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka qenë 1,820,631 banorë.

Në këtë regjistrim nuk morën pjesë serbët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit dhe ende nuk dihet nëse do të marrin pjesë në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë.

Edhe demografi Sami Behrami pret që të ketë rënie të numrit të popullsisë në Kosovë.

“Kemi një stagnim me tendencë të rënies së numrit të popullsisë. Kjo do të thotë që në regjistrimin e ardhshëm, me siguri Kosova do të ketë popullsi të përafërt me vitin 2011 ose një rënie të lehtë të numrit të popullsisë. Në radhë të parë për shkak të shkallës shumë të lartë të emigracionit”, thotë Behrami për Radion Evropa e Lirë.

Një hulumtim i instituti GAP, i titulluar “Emigrimi i fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani”, sheh një potencial edhe më të madh të emigrimit të qytetarëve të Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të Emigrimit në Gjermani në mars 2020.

“Të dhënat zyrtare tregojnë se shtetasit e Kosovës prijnë për nga numri i aplikimeve dhe pajisjes me viza pune në krahasim me vendet tjera të rajonit. Gjatë viteve 2016-2018, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë shqyrtuar për aprovim gjithsej 204,638 kontrata pune, prej të cilave rreth 80 për qind janë miratuar. Por, vetëm 40 për qind e tyre janë pajisur me viza pune, ku 24 për qind tyre, apo 15,824 kanë qenë për kosovarët”, thuhet në këtë raport.

Regjistrimi i popullsisë ishte shtyrë edhe në Maqedoninë e Veriut. Ishte paraparë të realizohet në prill të vitit 2020, por ishte shtyrë për në vitin 2021, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.