Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Për dy javë rreth 10 milionë amerikanë humben vendet e punës pas përhapjes së pandemisë së Coronavirusit

Javën e kaluar më shumë se 6.65 milionë amerikanë u paraqitën në zyrat e entit të punësimit, pas përhapjes së pandemisë së Coronavirusit në vend.

Sipas Departamentit Federal të Punës, ky numër i lartë i të papunëve arriti brenda një jave e cila përfundoi me 27 mars.

Po ashtu, rreth 3.3 milionë amerikanë ishin paraqitur si të papunë dy javë më herët, duke e rritur kështu numrin e tyre në 9.95 milionë, përcjell Telegrafi.

Analistët parashikojnë që kjo do të jetë vetëm fillimi dhe shifrat e ardhshme do të jenë edhe më të frikshme.

Këta besojnë se kriza e pandemisë së Cronavirusit do të shkatërrojë plotësisht rritjen ekonomike në dekadën e fundit.

Javën e kaluar, Kongresi amerikan ka miratuar Fondin Emergjent prej 2 trilionë dollarësh për të stimuluar ekonominë.

Lidhur me këtë, tashmë disa qytetarë mund të presin ndihma financiare nga qeveria, për t’i ndihmuar ata të përballen me izolimin që buron nga kriza e Coronavirusit.

Këto pagesa pritet të jenë 1,200 dollarë për individë, 2,400 dollarë për ata që janë martuar dhe paraqesin bashkërisht taksat mbi të ardhurat dhe 500 dollarë për fëmijët.