Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Pesëmbëdhjetë vende formojnë bllokun më të madh tregtar në botë

Pesëmbëdhjetë vende kanë formuar bllokun më të madh tregtar në botë, duke mbuluar gati një të tretën e ekonomisë botërore.

Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (RCEP) përbëhet nga 10 vende të Azisë Juglindore, si dhe Koreja e Jugut, Kina, Japonia, Australia dhe Zelanda e Re.

Pakti shihet si një zgjerim i ndikimit të Kinës në rajon.

Marrëveshja përjashton Shtetet e Bashkuara, e cila u tërhoq nga një pakt rival tregtar Azi-Paqësor më 2017.

Presidenti amerikan, Donald Trump tërhoqi vendin e tij nga Partneriteti Trans-Paqësor (TPP) menjëherë pasi mori detyrën.

Marrëveshja do të përfshinte 12 vende dhe u mbështet nga paraardhësi i tij, Barack Obama, si një mënyrë për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në rajon.

Negociatat mbi RCEP filluan më 2012. Marrëveshja u nënshkrua të dielën në kuadër të një samiti të organizuar nga Vietnami.

“Unë jam i kënaqur të them se pas tetë vjet pune të vështirë, që nga sot, ne kemi sjellë zyrtarisht negociatat RCEP në një përfundim”, tha kryeministri i Vietnamit, Nguyen Xuan Phuc.

Pastaj, zyrtarët me radhë nënshkruanin kopjet e marrëveshjes dhe i tregonin ato në kamera në samitin virtual. Udhëheqësit shpresojnë se marrëveshja do të ndihmojë në nxitjen e rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19.

“Nën rrethanat aktuale botërore, fakti që RCEP është nënshkruar pas tetë vjet negociatash sjell një rreze drite dhe shprese”, tha kryeministri kinez, Li Keqiang.

Ai e përshkroi marrëveshjen si “një fitore të multilateralizmit dhe tregtisë së lirë”.

India ishte gjithashtu pjesë e negociatave, por ajo u tërhoq vitin e kaluar për shkak të shqetësimeve se tarifat më të ulëta mund të dëmtonin prodhuesit vendas.

Nënshkruesit e marrëveshjes thanë se, India mund t’i bashkohet paktit në të ardhmen.

Anëtarët e RCEP përbëjnë gati një të tretën e popullsisë së botës dhe përbëjnë 29 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Blloku i ri i tregtisë së lirë do të jetë më i madh se marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada dhe Bashkimi Evropian. /REL/